Debati për paketën fiskale

20/12/2012 00:00

Partia Socialiste propozoi në Parlament një sërë ndryshimesh në paketën
fiskale, të cilat kishin në themel kryesisht sektorin e bujqësisë.
Propozimi i parë ishte ai që Qeveria të heqë akcizën për naftën që 
përdoret në bujqësi.

“Që ju të mos merrni më naftën me 1800 lekë, por me 1350 lekë, por përsëri siç e dëgjuat Sali Berisha nuk do. Do ta heqim akcizën e naftës për bujqësinë, do të heqim edhe taksën e qarkullimit për makineritë bujqësore. E kuptoni se si ju takson, e kuptoni se si ju vjedh? Taksë qarkullimi për traktorin që thjesht dhe vetëm punon tokën. A del traktori në autostradë që të paguajë edhe taksë qarkullimi?” tha deputeti socialist Erjon Braçe.

Por ministri i Financave Ridvan Bode tha propozimi i opozitës çon në një skemë të dështuar, të cilën socialistët e provuan njëherë në vitin 2003.

“Kthehuni mbrapsht në kohë dhe shihni nëse pas heqjes së akcizës së karburanteve për bujqësinë, pati rritje apo rënie çmimi i punimit të tokave. Sigurisht që pati rritje sepse masa që ndërmorët ju ishte një masë që nuk shkonte tek fermeri, por tek sekseri”, tha Bode.

Veç heqjes së akcizës, deputetët socialistë propozuan edhe disa masa të tjera për të ulur kostot e fermerëve.

“…për përjashtimin nga TVSH-ja të furnizimit me plehra kimike, insekticide, pesticide ndaj fermave bujqësore të përdorura si lëndë e parë për prodhimin në bujqësi, përjashtimin nga TVSH-ja të makinerive dhe pajisjeve të importuara në funksion të realizimit të kontratave të investimeve në sektorin e përpunimit aktiv, bujqësisë, blegtorisë dhe agrobiznesit në përgjithësi, si dhe uljen nga 20, në 10 për qind të TVSH-së së farërave, fidanëve dhe vaksinave për fermat bujqësore dhe blegtorale”, tha Kodheli.
 
Por Qeveria thotë se qeveria ka zgjedhur t’i ndihmojë fermerët jo përmes taksave, por me transferta direkte.

“Vlera e akcizës, që u pretendua se e perfituan fermerët, por në fakt e përfituan sekserët ishte 2.5 milionë dollarë. E dini shumë mirë që ne, në formën e mbështetjes së buxheteve familjare të fermerëve përmes politikave të mbështetjes së bujqësisë, në një vit të vetëm japim 15 milionë dollarë dhe kjo do të vijë duke u rritur”, tha Bode.

Në Parlament opozita kishte hartuar edhe një draft që rikthen taksën progresive, i cili sipas deputetëve të saj lehtëson barrën fiskale mbi 95 për qind të të punësuarve në administratë dhe sektorin privat duke u falur atyre 63 milionë dollarë në vit. Maxhoranca nuk pranoi asnjë nga ndryshimet e propozuar nga socialistët duke e kaluar paketën fiskale sipas variantit fillestar të propozuar nga Qeveria.

Top Channel