Fryma e re Demokratike e konsideron alarmante rritjen e borxhit publik. Nga zyrtarizimi i degës në Kukës, Bamir Topi tha se vendi ka hyrë në ngërç dhe njerëzit kërkojnë shpresë dhe zgjidhje. Këtë zonë, tha Topi, e ka bekuar Zoti por e ka braktisur qeveria.

“Vetëm dje Banka Botërore dha alarmin për rritjen e borxhit publik, që sipas një vendimi të qeverisë, u fut në funksionim të vitit 2012. Kjo tregon për një qeveri të paaftë, të zhytur në korrupsion dhe që vepron për interesa klienteliste. Sikurse është dëshmuar, zgjedhjet e lira e të ndershme në Shqipëri janë ende larg”, deklaroi Topi.

Ndërsa nënkryetari i FRD-së, Aleksandër Biberaj akuzoi qeverinë se ka përjashtuar këtë zonë nga investimet. “Këtu nuk ka as treg funksional, as ujësjellës e as energji, ka papunësi të lartë dhe varfëri të madhe në të gjithë zonën: Has, Tropojë e Kukës”, u tha të pranishëmve Biberaj. “Kukësi nuk e meriton që të jetë i përfaqësuar dikur me Hasan Prishtinën e sot me Flamur Nokën”, shtoi ai.

E pranishme në këtë aktivetitet, bashkëshortja e disidentit Avni Nela, i ekzekutuar nga regjimi komunist, vlerësoi mbështetjen e FRD-së si të parën përkrahje reale të një force politike për ish-të persekutuarit dhe desidentët e regjimit komunist.

Top Channel