METE: Bllokim shitjes së CEZ

19/12/2012 19:30

Ministria e Energjitikës ka deklaruar se do të bllokojë shitjen e kompanisë CEZ Shpërndarje, të cilën e ka akuzuar për keqmenaxhim dhe mosinformim të situatës së saj financiare.

“Zotërojmë 24 për qind të aksioneve të CEZ Shpërndarje, por për shitjen u njoftuam vetëm nga mediat. CEZ nuk po përmbush asnjë detyrim kontraktor dhe kompania konsiderohet e dështuar”, thuhet në një njoftim për shtyp.

Në dokumentin në fjalë METE njofton se po punon për të përmirësuar menaxhimin e pjesshëm të kompanisë, e cila i ka shkaktuar vendit një dëm kolosal.

“Jemi në negociata për të zgjidhur problemet që CEZ s’mund të menaxhojë. CEZ i ka shkaktuar 1 miliard dollarë dëme Shqipërisë”, thuhet më tej në komunikatën për shtyp.

Dy ditë më parë grupi CEZ sqaroi, përmes një deklarate, se kishte nisur proçesin e shitjes së biznesit të tij në Shqipëri, CEZ Shpërndarje.

Blerësit potencialë, sipas tij, mund të shprehin interesin e tyre gjatë muajit janar dhe një vendim për hapat e mëtejshëm do të merret pas kësaj.

Në të njëjtën kohë, deklarata e grupit mëmë të CEZ në Çeki, sqaronte se do të vazhdonin negociatat me autoritetet shqiptare mbi mënyrat e zgjidhjes së ngërçit aktual.

Kompania çeke e energjisë hyri në tregun shqiptar majin e vitit 2009, me blerjen e 76% të aksioneve të kompanisë vendase të shpërndarjes. 24 përqindëshi i mbetur ishte i qeverisë së Shqipërisë.

Top Channel