Dhoma Amerikane i ankohet Berishës

18/12/2012 00:00

Dhoma Amerikane e Tregtisë i kërkoi kryeministrit Sali Berisha të shqyrtojë disa kërkesa për përmirësimin e klimës së biznesit në vend.

Duke e vënë theksin tek mungesa e dialogut, presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë vuri në dukje se kryeministri Berisha ishte i vetmi që i ishte përgjigjur ftesës për komunikim, pas disa përpjekeve të dështuara për t’i diskutuar këto probleme me nivele të caktuara të adminstratës.

Sipas përfaqësuesve të këtij forumi, konsiderohet se klima e biznesit në vend është dëmtuar mes të tjerash nga mungesa e dialogut mes biznesit dhe qeverisë dhe sjelljes abuzive të adminstratës tatimore.

“Një fushatë e ashpër e zyrës së taksave është vënë re atje ku inspektorët e taksave ndryshojnë në mënyrë të vazhdueshme interpretimin dhe zbatimin e ligjeve, duke përfshirë edhe gjoba të mëdha për një aktivitet për të cilin është kryer më parë një inspektim. Dhoma Amerikane e Tregtisë ka shembuj të sjelljes joprofesionale të inspektorëve të taksave, mandati i të cilëve duket se është për të vendosur gjoba, pavarësisht se bizneset i kanë bërë pagesat sipas ligjit ekzistues. Kjo situatë është larg premtimit për të krijuar një klimë të qëndrueshme për biznesin”, deklaroi David Anderson, president i DHAT.

Kryeministri Berisha, i cili i trajtoi me radhë çështjet e ngritura, i pranoi kritikat si reale. Duke vënë në dukje masat e marra për lehtësimin e pengesave burokratike për biznesin, shefi i qeverisë premtoi më shumë vëmendje në zgjidhjen e shqetësimeve të biznesit, veçanërisht në intensifikimin e dialogut dhe rishikimin e mekanizimit disbursues për TVSH-në.

Përsa i përket sjelljes së tatimorëve, kryeministri pranoi se bëhen padrejtësi, por, sipas tij, ndërsa qeveria do të vazhdojë me thjeshtimin e proçedurave për shmangien e korrupsionit, rruga më e drejtë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve është gjykata.

“Unë nuk mund të them se mund të ketë mbrojtje të plotë nga arbitrariteti i autoritetit tatimor, që megjithësë është dëshirë shumë e madhe, është e pamundur, por ka një sistem të shqyrtimit të ankesave dhe ky sistem do të shkojë duke u përmirësuar. Nuk mund të jetë ndryshe, përveçse reformimi dhe konsolidimi i pushtetit gjyqësor dhe insitucioneve të tjera”, deklaroi Berisha.

Kryeministri Berisha siguroi përfaqësuesit e biznesit se qeveria do të vazhdojë të marrë çdo vendim për përmirësimin e klimës së biznesit, pasi, siç u shpreh ai, forcimi i biznesit dhe liria ekonomike është e vetmja mënyrë që mbron Shqipërinë nga kriza ekonomike botërore.

Kritikat e Dhomës Amerikanë të Tregtisë:

1: Dialogu i munguar me qeverinë;
2: Mungesa e konsultimit të ligjeve me biznesin;
3: Arbitrariteti tatimor dhe fushata e gjobave;
4: Rimbursimi problematik i TVSH-së.

Top Channel