Shifrat e censusit alarmojnë ortodoksët

14/12/2012 00:00

Edhe pse janë publikuar më shumë se një vit me vonesë, të dhënat e
censusit pritet të ngjallin reagime edhe më të ashpra sesa ato që nisën

Siç mësohet, statistikat e publikuara nga INSTAT-i janë pritur me habi dhe pakënaqësi në radhë të parë nga Kisha Ortodokse Shqiptare që pritet t’i kontestojë. Arsyeja? Sipas censusit, jashtë pritshmërisë ortodoksët janë 4 për qind më pak se katolikët. Tjetër e dhënë kundërthënëse e censusit është numri i minoritetit rom në Shqipëri. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT-it janë 0.3 për qind e popullsisë, pra 84 mijë banorë, ndërkohë që sipas OKB-së romët janë 80-150 mijë banorë, që e pakta i bie 2.8%. Të ulëta janë edhe të dhënat e minoritarëve grekë, por kjo mund të llogaritet edhe me aspektin që numri më i madh i tyre ndodhet në emigracion.

Shifrat

Instituti i Statistikave publikoi të dhënat përfundimtare të regjistrimit të popullsisë të shumëdebatuar, për shkak të pyetjeve mbi grupet etnike dhe fenë. Sipas të dhënave përfundimtare të censusit, 98.77 për qind e popullsisë ka si gjuhë amtare shqipen, 0.54 për qind gjuhën greke, ndërsa 0.16 për qind atë maqedonase. Pyetjes mbi përkatësinë etnike, 82.58 për qind i janë përgjigjur se janë shqiptarë, ndërsa vetëm 0.87 për qind se janë grekë, kurse asaj mbi fenë, 56.70 për qind i janë përgjigjur se janë myslimanë, 10.03 për qind katolikë dhe 6.75 për qind ortodoksë. Për sa i përket popullsisë etno-kulturore, 82.58% janë deklaruar shqiptarë, 0.57% grekë, 0.3% romë, 0.3% aromunë dhe 0.2% maqedonas”, bëri me dije drejtoresha e INSTAT-it, Ines Nurja. Në të dyja rastet kanë refuzuar të përgjigjen 14% e të anketuarve. I pranishëm në publikimin e të dhënave të censusit prej drejtueses së INSTAT-it, Ines Nurja, ishte edhe ministri i Teknologjisë dhe Inovacionit, Genc Pollo, i cili tha se këto rezultate janë përgjigjja ndaj atyre, që siç u shpreh ai, përdorën censusin për të përçarë shqiptarët. Ashtu siç u bë e ditur edhe në publikimin e të dhënave paraprake, numri i popullsisë së Shqipërisë është 2 851 741 banorë, duke shënuar një rënie prej 8% krahasuar me vitin 2001. Sipas INSTAT-it, dy arsyet kryesore, përgjegjëse për rënien e numrit të popullsisë, janë emigracioni dhe rënia e lindshmërisë. Rënie ka pësuar edhe numri i familjeve nga 726 895 në vitin 2001, në 722 262 në 2011-n. Po ashtu, për herë të parë në historinë e censuseve, numri i popullsisë që jeton në zonën urbane, 53.5% ka tejkaluar atë në zonën rurale, 46.5%. Sipas INSTAT-it, numri total i personave që kanë refuzuar t’i nënshtrohen censusit është 21 839 persona ose më pak se 0.7%.

PDIU

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, me anë të një deklarate të shpërndarë dje, thekson: “Amendamentet e propozuara nga PDIU-ja dhe të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë në ligjin për censusin ia arritën të shmangin skenarët e Athinës për nxjerrjen e të dhënave të rreme mbi kombësinë në Shqipëri”. PDIU-ja falënderon të gjithë qytetarët shqiptarë që iu përgjigjën thirrjes sonë për ta deklaruar veten ashtu siç janë, shqiptarë. Verifikimi i abuzimeve të mundshme, pra ballafaqimi i të dhënave të censusit me regjistrin e gjendjes civile, që ishte detyrim ligjor nga INSTAT-i, falë amendamenteve të PDIU-së ia doli të bllokojë tentativat e qarqeve antishqiptare”.

Gazeta “Shqip”

Top Channel