Me qindra hektarë tokë dëmtohen çdo vit nga fatkeqësitë natyrore si përmbytjet apo zjarri. Dëmtimi i prodhimeve bujqësore në këto toka për pasojë u ka sjellë humbje të mëdha financiare fermerëve të cilët nuk e kanë të siguruar produktin e tyre bujqësor.

Për të ndihmuar fermerët përmes dhënies së një subvencioni deri në masën 80 përqind për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, qeveria italiane do të japë shumën 2 mln euro në formën e një kredie të butë për qeverinë shqiptare.

“Do të fillojë një projekt-pilot për aplikimin e skemës së sigurimeve kundrejt disa rreziqeve të evidentuara. Për të nxitur zgjerimin e skemës së sigurimeve në fshat shteti do të ndihmojë fermerin duke i subvencionuar një pjesë të pagesës së primit të sigurimit”, thotë Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli.

Përvec sigurimit të bujqësisë, dy marrëveshje të tjera të firmosura nga ministri Genc Ruli dhe ambasadori italian Massimo Gaiani janë ato për përmirësimin e fermave për rritjen dhe përpunimin e ullirit dhe dixhitalizimin e agjencisë së pagesave.

“Vitet e fundit Shqipëria ka bërë progres domethënës, por ka vend për hapa të mëtejshëm në modernizimin e sektorit bujqësor si një element kyç për procesin e integrimit europian të Shqipërisë”, tha Ambasadori i Italisë, Massimo Gaian.

Tre marrëveshjet, në kuadër të protokollit midis qeverisë shqiptare dhe asaj italiane 2010-2012 parashikojnë një fond prej 10 milionë eurosh në tota pr bujqësinë shqiptare.

Top Channel