Rritet borxhi i jashtëm

12/12/2012 00:00

Borxhi i jashtëm i ekonomisë u rrit me 600 milionë euro në tremujorin e
tretë të vitit, krahasuar me të njëtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se detyrimet e Shqipërisë ndaj botës arritën në fund të tremujorit të tretë në 5 miliardë euro nga 4.4 miliardë që ishin në shtatorin e 2011-ës. Shifra përfshin borxhin e jashtëm të qeverisë, por pjesa më e madhe e saj vjen nga sektori privat, si hua që bizneset shqiptare kanë marrë nga jashtë. Bankat janë ato me pjesën më të madhe.

Sipas të dhënave, në fund të shtatorit borxhi i jashtëm i bankave shqiptare ishte 946 milionë euro, dhe pjesa dërrmuese e tij është borxh afatshkurtër i marrë kryesisht nga bankat mëma jashtë vendit.

Krahasuar me rajonin shqipëria mbetet një nga vendet me borxhin e jashtëm më të ulët, që për ekspertët ka qenë dhe një nga faktorët që kanë mbrojtur ekonominë nga një krizë më e rëndë. Por shifra e tij që ka mbërritur tashmë në mbi 50 për qind të prodhimit kombëtar po vjen në rritje nga viti në vit. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në dy vitet e fundit, detyrimet e Shqipërisë ndaj vendeve të tjera të botës janë rritur me mbi 1.3 miliardë euro. Gati gjysma e e kësaj shifre ka ardhur nga rritja e borxhit të jashtëm të Qeverisë, i cili tashmë ka mbërritur në 2.2 miliardë euro.

Top Channel