Qeveria ndryshon buxhetin e 2012

12/12/2012 00:00

Qeveria ka miratuar një akt normativ, i cili ndryshon buxhetin e shtetit për vitin 2012 duke rritur borxhin. Sipas vendimit të qeverisë, defiçiti buxhetor rritet me 7.2 miliardë lekë të tjera nga 41.1 miliardë që ishte parashikuar në buxhet në 48.3 miliardë lekë me aktin normativ.

Ndërhyrja e qeverisë në buxhet është e diktuar nga mosrealizimet në mbledhejn e të ardhurave. Sipas të dhënave zyrtare, në dhjetë muajt e parë të vitit qeverisë i mungojnë 19.4 miliardë lekë nga taksat në buxhet.

E gjendur në këtë situatë dhe në pamundësi për të shkurtuar shpenzime të tjera, qeveria është detyruar të rrisë defiçitin.

Me këtë vendim borxhi publik i vendit shkon në 61 për qind që në fund të këtij viti, nga 59.9 që ishte llogaritur fillimisht në buxhet dhe 60.5 më vonë, kur qeveria u detyrua të financonte importin e energjisë.

Rritja në 61 për qind e borxhit publik që në fund të këtij viti, së pari hap një debat ligjor, pasi opozita pretendon se kufiri ligjor i borxhit është shkelur para se të miratohej ligji që hoqi tavanin.

Së dyti, ky nivel prej 61 për qind e prodhimit kombëtar vë në rrezik që tani kufirin e parashikuar të borxhit për vitin e ardhshëm, për të cilin qeveria thotë se do të jetë 62.6 për qind e prodhimit kombëtar.

Top Channel