BB: Borxhi kërcënon ekonominë

11/12/2012 00:00

Banka Botërore paralajmëron Qeverinë shqiptare se thyerja e kufirit ligjor të borxhit do të cënojë rritjen ekonomike të vendit.

Në një intervistë dhënë për Reuters shefja e misionit të Bankës në Shqipëri, Ksenia Lvovski deklaroi se shkelja e kufirit prej 60 për qind nuk është një sinjal i mirë për tregjet dhe për rritjen ekonomike të vendit. 

Sipas saj Shqipëria duhet të fokusohet në konsolidimin e financave të saj. “Qeveria duhet të përmirësojë mbledhjen e taksave dhe të shtrëngojë shpenzimet për rrogat dhe pensionet,” ka thënë Lvovski për Reuters.

Financat publike të Shqipërisë dhe borxhi masiv janë bërë shqetësim jo vetëm për Bankën Botërore, por edhe për institucionet e tjera kryesore të financave. Në misionin e fundit në Tiranë, Fondi Monetar Ndërkombëtar i kërkoi Qeverisë, që për vitin e ardhshëm ta mbante borxhin në nivelin 60 për qind si në vitin 2012.

Por në buxhet Qeveria ka parashikuar një deficit prej 3.4 për qind, i cili e con shifrën e borxhit në 62.6 për qind të prodhimit pa përfshirë garancitë që do jepen për importin e energjisë elektrike. Ky defiçit do të thotë se vitin e ardhshëm Qeveria do të marrë 490 milionë dollarë borxh për të financuar shpenzimet e saj.

“Financimi i deficitit të lartë është një tjetër shqetësim imediat në kushtet, kur ekonomia po ngadalëson dhe kreditorët në tregje janë bërë më të kujdeshëm” ka thënë Lvovski.

Top Channel