Ngrica, probleme në rrugë kombëtare e rurale

09/12/2012 18:50

Reshjet e dendura dhe temperaturat e ulta kanë krijuar probleme në disa akse rrugore në qarkun e Elbasanit.

Aksi kombëtar Elbasan – Qafë-Thanë u bllokua për rreth 3 orë, sot në mëngjes, për shkak të ngricave në rrugë. Në pamundësi për të lëvizur, drejtuesit e mjeteve mbetën të bllokuar për një kohë të gjatë. Mungesa e skorjeve dhe kripës e vështirësoi punën e sektorit të mirëmbajtjes së rrugëve, që po punon me rezervat e fundit.

E njëjta situatë paraqitet edhe në aksin kombëtar Elbasan – Tiranë. Në mëngjes, Qafa e Krrabës ishte e rrezikshme për drejtuesit e mjeteve, për shkak të ngricave. Por edhe më të rënda janë problemet në rrugët rurale.

I kontaktuar me telefon nga Top Channel, drejtori i mirëmbajtjes së rrugëve rurale, Ardian Cani, tha se situata është e rënduar në disa zona nga rrëshqitjet e dherave. Në aksin Gjinar – Zavalinë, rruga është bllokuar nga rrëshqitjet masive të tokës, gjithashtu në zonën e Librazhdit dhe Gramshit.

Reshjet intensive të borës kanë pushtuar gjithë qarkun e Korçës, duke krijuar probleme me qarkullimin e automjeteve. Pasi kanë vijuar për disa orë, duke mbuluar edhe qytetin e Korçës, në të gjitha akset nacionale kalimi bëhej vetëm me zinxhirë, ndërsa probleme ka pasur edhe në disa prej komunave të këtij qarku, të cilat janë të bllokuara ose përballen me mungesën e energjisë elektrike.

Vështirësi në qarkullim ka pasur edhe në aksin Korçë – Kapshticë, si dhe zonat malore, ku kalimi është i pamundur edhe me zinxhirë.

Top Channel