Berisha: Buxheti, më i madhi në histori

07/12/2012 00:00

Kryeministri Sali Berisha deklaroi se buxheti i vitit 2013 është më i madhi në historinë e Shqipërisë dhe kap vlerën e 410 miliardë lekëve.

“Buxheti për vitin 2013, më i madhi në historinë e Shqipërisë, që arrin vlerën rreth 410 miliardë lekë  ka si synim më madhor rritjen e mirëqenies suaj të dashur qytetarë shqiptarë, rritjen duke sjellë të ardhura direkt në xhepat e portofolet tuaja për 820 mijë familje shqiptare, duke ndikuar në mënyrë thelbësore në shkollimin e fëmijëve tuaj, shërbimet shëndetësore, rrugë, ujësjellësa dhe po ashtu ka si objektiv madhor investimet vendimtare për Shqipërinë vend i zhvilluar brenda vitit 2017″ tha Berisha.

Duke folur në Kuvend, Berisha u shpreh se objektivi i Qeverisë është rritja e pensioneve dhe pagave të administratës publike.Po ashtu sipas Berishes, ky buxhet mbeshtet si asnjehere tjeter sistemin shendetesor.

Në seancën e sotme plenare, e cila pritet të jetë maratonë, Kuvendi do të shqyrtojë nen për nen projektbuxhetin e vitit 2013, për të cilin pritet të ketë debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës. Buxheti i ri, i cili kap shifrën e 409 miliardë lekëve shpenzime, sipas mazhorancës ka si synim qendror riaktivizimin e rritjes ekonomike dhe daljen nga kriza.

Ndërkohë, opozita e konsideron buxhetin e vitit 2013 si një buxhet krize, ku rritja e borxhit publik bën që vetë qeveria të jetë e paqartë dhe pasigurt me shifrat që shpall.

Top Channel