“Frika” nga kryeprokurori i ri, priten ndryshime

05/12/2012 00:00

Ndryshe nga sa pritej, kryeprokurorja në detyrë, Ina Rama, do të bëjë
një ikje të qetë nga posti që mban prej tetorit të vitit 2008, kur
zëvendësoi të “akuzuarin” Theodhori Sollaku.

Pa dashur të krijojë konflikte personale, apo edhe të stafit të saj të ngushtë, të cilët do ta kishin të vështirë më pas për të vazhduar detyrën nga presionet e gjithanshme, zonja Rama do të respektojë dekretin e Presidentit Bujar Nishani, i cili e ka zëvendësuar me Adriatik Llallën, kreun e Inspektoratit të Kontrollit të Pasurive të Zyrtarëve, ish-drejtues prokurorie në Fier dhe Tiranë. “Ethet” më së shumti po i përjetojnë titullarët e akuzës qendrore, drejtuesit e akuzave të rretheve, ndërsa më pak, prokurorët e thjeshtë dhe oficerët e policisë gjyqësore.

Vëzhgimi

Prej ditësh, në sistemin e prokurorisë flitet për emrin e ri, pas deklaratës së Nishanit se “do ta zëvendësojë Ina Ramën”. Ishin të shumtë emrat e lakuar, por “fitoi” kandidati që u bë publik i pari, duke sjellë një situatë të ndryshme nga ajo e vitit 2008, ku emri i Ina Ramës nuk ishte lakuar nga asnjë politikan dhe media, por ishte vetëm në mendjen e ish-presidentit Bamir Topi dhe të mazhorancës.

Tashmë, prokurorët ndihen më të lehtësuar, megjithëse kurioziteti për lëvizjet nuk u mungon. Ata pohojnë se e mirëpresin një kandidaturë që e njeh mjaft mirë sistemin, pasi ka punuar më parë në prokurori, madje në poste të larta. Vëmendje e madhe do t’i kushtohet riformimit të akuzës qendrore, ku personat që mund të preken nga “reforma” do të jenë titullarët e drejtorive kryesore.

Të gjithë janë me “sy e vesh” nga zhvillimet politike për kreun e ri të akuzës qendrore, ndërsa pak vëmendje po i kushtohet prokurores në detyrë, e cila, pasi festoi 40-vjetorin si Prokurore e Përgjithshme, po shikon mundësinë që të rikthehet si gjyqtare në Apel, pasi ka mbaruar edhe Shkollën e Magjistraturës. Nga ana tjetër, stafi i saj duket se ishte i mirëpërgatitur për këtë lëvizje, ndryshe nga bashkëpunëtorët e Sollakut në vitin 2008, ku disa prej tyre e mbështetën, madje edhe në deklarata publike, ndërsa të tjerët preferuan të heshtin dhe të qëndrojnë larg telasheve politike.

Reforma

Situata në akuzën qendrore është shumë e qetë, pasi ikja ka qenë e paralajmëruar, aq më tepër që shumë prej stafit të zonjës Rama i janë bërë të qarta lëvizjet e mëpasshme.

Një ide, kjo personale e Ina Ramës, është që çështjen ta çojë në Gjykatën Kushtetuese, megjithëse ka pak gjasa të ndodhë, duke qenë se kryeprokurorja në detyrë aspiron sërish për gjyqtare. Tashmë, vëmendja e të gjithëve është nëse do të lëvizin apo jo titullarët e akuzës qendrore, disa prej të cilëve kanë punuar në të njëjtën akuzë me zotin Llalla. Dy drejtorët në akuzën qendrore, Sokol Stojani dhe Arben Dollapi kanë punuar në Prokurorinë e Tiranës, si prokurorë të thjeshtë, në një kohë që kandidati për kryeprokuror ka qenë zëvendësdrejtues.

Megjithatë, drejtorët e tjerë në akuzën qendrore kanë pasur bashkëpunime më të largëta, duke qenë në të njëjtin sistem. Ata nuk e kanë njohur personalisht zotin Llalla, ndërsa prokurorët që përfaqësojnë akuzën në Gjykatën e Lartë, kanë pasur bashkëpunime më të ngushta, pasi më parë kanë qenë titullarë dhe drejtues të prokurorive të rretheve.

Lëvizje mund të ketë edhe në administratën civile, që nga sekretari i përgjithshëm e deri tek kabineti. Aktualisht, shefja e kabinetit është dekretuar prokurore në Tiranë, ndërsa zyrtarët e tjerë janë në pritje për të biseduar dhe për të vendosur në momentin që zoti Llalla do të ulet në karrigen e prokurorit të përgjithshëm.

Gazeta “Shqip”

Top Channel