Ridublohet filmi “Skënderbeu”

04/12/2012 15:40

Një ndër filmat kult të kinematografisë vendase, “Skënderbeu”, është restauruar dhe dubluar sërish për ta sjellë tek publiku me një cilësi shumë më të lartë.

Negativi është kthyer në HD, ndërsa teksti ekzistues është ridubluar, por në shqipe letrare. Dublimi i dikurshëm ishte bërë në Rusi nga studentë shqiptarë, ndërsa tani nga aktorë profesionistë si Rikard Ljarja (Skënderbeu), Robert Ndrenika (sulltan Murati), Kastriot Caushi (Pali), Lulzim Zeqja (Sulltan Mehmeti), Roza Anagnosti (Donika), Monika Lubonja (Mamica).

Janë shtuar efektet zanore që i mungonin versionit origjinal, si zhurma e shpatave apo kuajve. Kolona zanore është restauruar në një studio profesionale në Itali, duke e pastruar nga cilësia e dobët e regjistrimit.

Producentë: Pirro dhe Eno Milkani. Esat Mysliu është regjisori i dublimit. Mbështetja nga Digitalb dhe Ministria Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Premiera e ‘Skënderbeut” të restauruar është shfaqur mbrëmjen e së hënës njëkohësisht në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup. Filmi do të vazhdojë të shfaqet në kryeqytet në kinematë Imperial.

Premiera e Agon

Nga data 6 dhjetor një tjetër film shqiptar do të shfaqet në kinematë e Tiranës. “Agon”, me regji dhe skenar të Robert Budinës. Producente: Sabina Kodra. 

Në role kryesore: Marvin Tafaj, Guljem Kotori, Eglantina Cenomeri, Nikolla Llambro dhe aktori grek Adonis Kafetzopulos.

Filmi trajton historinë e dy vëllezërve emigrantë në Greqi dhe dy rrugët e ndryshme që ata kanë zgjedhur për tu integruar në vendin fqinj.

Regjisori Robert Budina thekson: “Filmi zhvillohet mes kontradiktave të mëdha. Ne duhet të gjejmë dritën për ta bërë Agimin më të qartë.”

Top Channel