Investimet për 2013, debate opozitë-Qeveri

04/12/2012 00:00

Diskutimi mbi investimet publike të parashikuara në projektbuxhetin e
vitit 2013 është shoqëruar me debate të forta mes deputetëve të opozitës
dhe atyre të maxhorancës.

Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe tha se Qeveria ka detyrime të pashlyera ndaj kompanive që kanë kryer punime në infrastrukturën rrugore, të cilat kapin shifrën 26.5 miliardë lekë, ndonëse ky fakt kundërshtohet nga zëvendësministri i Transporteve, Ernest Noka.

“Punime të kryera jashtë kontrate, por të inauguruara prej teje dhe Kryeministrit tënd dhe të parapaguara prej teje dhe Kryeministrit tënd, janë 11.9 miliardë lekë të reja ose 120 milionë dollarë. Bashkë me detyrimet e vitit 2012 shkojnë 26.5 miliardë lekë të reja ose 265 milionë dollarë”, tha deputeti socialist Erjon Braçe.

Më i ashpër në qendrimin e tij ishte deputeti Arben Ahmetaj, i cili theksoi se projektbuxheti për vitin që vjen nuk ofron asnjë projekt të ri, por shkon për të shlyer detyrimet e prapambetura.

“Ky buxhet nuk afron asnjë investim të ri, pra asnjë projekt të ri, i cili do të fillojë rishtaz në 2013, përkundrazi do të vazhdojë të paguajë projekte të cilat janë zvarritur në kohë ose janë zvarritur pagesat e tyre”, tha Ahmetaj.

“Kemi një statistikë tjetër. Mjafton të shikoni prokurimin publik online, do të shikoni që me dhjetëra subjekte futen në çdo proces prokurimi. Ky nuk është tregues krize, ky është tregues që bizneset kanë besim te financimet e Qeverisë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave Dorian Teliti.

Opozita kritikoi ashpër vonesat në përfundimin e projekteve të rëndësishme rrugore, si dhe vuri theksin tek ajo që e quajti mosplanifikim i drejtë i buxhetit, duke nënvizuar se disa sektorë si shëndetësia, arsimi dhe bujqësia për të cilat ka shumë nevojë për investime janë lënë jashtë vëmendjes së shtetit.

Rama: Projektbuxheti i rënimit

Projektbuxhetin e qeverisë për vitin 2013, që pritet të diskutohet në Parlamet, kryetari Partisë Socialiste, Edi Rama, e quajti një lajm të keq dhe  pamje kuptimplotë e rrënimit të mëtejshëm të vendit nga qeverisja e Sali Berishës.

”Lajmi i mirë është që ky do të jetë buxheti i fundit që po bën kjo qeveri, e cila e lë Shqipërinë më keq nga sa e gjeti në çdo aspekt. Projektbuxheti tregon se një rilindje shqiptare është një domosdoshëmri, ashtu siç është e domosdoshme një politikë e re taksimi, një politikë e re punësimi, një politikë e mbështetjes së biznesit kundrejt kësaj politike të vjetër që po e rrënon biznesin, një politikë e re të rilindjes së fshatit. Buxheti i 2013-ës është në fakt treguesi më i qartë që pse viti 2013 do të jetë viti i ndryshimit”, deklaroi kryeopozitari, Edi Rama.

Rama ka treguar vizionin e qeverisjes socialiste në disa sektorë, duke e kthyer në prioritet uljen e borxhit marramëndës prej 895 miliardë lekësh.

”Jemi zotuar të shohim skemën e ndihmës ekonomike dhe të luftojmë këtë varfëri me një front të gjerë. Nevojitet një politikë e re arsimore, rritje në arsim e prodhim me politika nxinëse. Një shifër kuptimplotë brenda këtij mandati të vjedhur është se ndërsa në 2009-n premtuan 160 mijë vende të reja pune, kanë humbur zyrtarisht 45 mijë vende pune. Duke nisur nga projektbuxheti ynë, do të rrisim financimin për arsimin në 5% të buxhetit. Është e rëndësishme të kuptohet gjithashtu që fshati duhet të jetë një burim kryesor i rilindjes dhe rimëkëmbjes, një forcë e instrument themelor që do të tranformojë edhe jetën e familjeve në qytet”, shtoi Rama.

Shefi opozitës shqiptare tha se qeveria e nesërme socialiste ka një plan, mbi të gjitha vullnet të hekurt për ta rilindur Shqipërinë.

Top Channel