PS: Qeveria të heqë taksën e biznesit të vogël

02/12/2012 00:00

Partia Socialiste i kërkoi qeverisë që gjatë javës së ardhshme, kur të kalojë për miratim buxhetin e vitit 2013, të kalojë edhe propozimin e saj për heqjen e taksës për biznesin e vogël.

Deputetja Ermonela Felaj theksoi se kjo gjë do të ishte një ndihmesë e madhe në këtë situatë krize që vendi po kalon.

“Javën që vjen do të diskutohet në Parlament buxheti i vitit 2013, çka ofron një mundësi të shkëlqyer për të miratuar kërkesën e Partisë Socialiste për të hequr taksën e biznesit të vogël. Kemi muaj që këmbëngulim për heqjen e kësaj takse pasi biznesi familjar është ai që mban në këmbë ekonominë e këtij vendi dhe ky biznes ka nevojë për frymëmarrje”, deklaroi Felaj.

“Duke i hequr taksën, kjo qeveri do të nxiste dhe do të lehtësonte krizën ekonomike. Gjithashtu do i jepte më shumë mundësi të gjitha familjeve shqiptare që në këto ditë të fundvitit të festojnë ashtu si e kërkon tradita”, shtoi deputetja e PS-së.

Top Channel