Nderime heronjve të Pavarësisë

25/11/2012 19:50

Shkodra ka nderuar rolin e Luigj Gurakuqit dhe Isa Boletinit në shpalljen e pavarësisë së vendit. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për ta, vendosi kurora me lule në monumentet e tyre.

Siç edhe e meritojnë, kryetarja Topalli foli me superlativa për këto dy figura që ja dedikuan jetën dhe aktivitetin e tyre çështjes kombëtare.

“Luigj Gurakuqi ishte një vigan liberator. Ishte projektuesi autentik i projektit europian për Shqipërinë. Ishte firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Ishte mbështetësi dhe pjesëmarrësi kryesor i kryengritjeve të 1912-tës. Ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit. Ishte modeli i shqiptarit të madh, pjesmarrës i Kongresit të Manastirit. Modeli i njeriut me moral, që e deshi këtë vend pa kushte duke i kushtuar edhe momentet e fundit të jetës së tij”, theksoi Topalli.

Ndërsa për figurën e Isa Boletinit kryeparlamentarja Topalli citoi një thënie se si një deputet britanik e përshkruante atë: “Isa Boletini ishte një ndër luftëtarët më të mëdhenj të Shqipërisë.  Është figurë legjendare e jashtëzakonshme. Deputeti britanik Aubrey Herbert, një ndër diplomatët më të shquar të asaj periudhe, e quante Isa Boletinin, Robin Hudin e shqiptarëve. Pa luftën, kryengritjet, pa shpirtin e tij të madh dhe besimin e flaktë për bashkimin kombëtar, do ishte e pamundur që ne të arrinim te 28 nëntori në Vlorë, te shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, te ngritja e flamurit.”

Top Channel