Qeveria optimiste për Albpetrolin

24/11/2012 00:00

Ministri i Ekonomisë Edmond Haxhinasto është optimist se negociatat për
shitjen e kompanisë ‘Albpetrol’ do të përmbyllen me sukses brenda një
kohe të shkurtër.

“Po vlerësojmë strategjinë dhe hapat që do të ndërmerren për të konkluduar marrëdhënien problematike, besoj që brenda dy-tre javëve të ardhshme do të kemi një përcaktim të qartë të asaj që duhet bërë për ta zgjidhur këtë marrëveshje apo situatë problematike”, tha Haxhinasto.

Gjatë një interviste në Top Channel, kreu i Ekonomisë ka folur edhe për mosmarrëveshjet me kompaninë CEZ. Sipas Haxhinastos, historia problematike me kompaninë e shpërndarjes merr zgjidhje brenda dy ose tre javësh.

“Eshtë një moment ku secila palë dëshiron të garantojë dokumentacionin respektiv për sa i takon një kontratë të tillë me rëndësi shumë të madhe për vendin. Jemi brenda gjithë afateve ligjore dhe jam optimist që do të përfundojë me sukses”, tha Haxhinasto.

Në lidhje me projektin e shumëpërfolur të linjës energjetike me Kosovën Haxhinasto, kërkon zhbllokimin e situatës.

“Eshtë një problem, i cili është ezauruar edhe në media. Besoj që tani është e domosdoshme për të përcaktuar hapat e tjera që ky projekt shumë i rëndësishëm shumë vital midis dy vendeve të përfundojë”, tha Haxhinasto.

Top Channel