Integrimi i vendeve të Ballkanit në BE

24/11/2012 01:30

“Pa një përafrim të mëtejshëm të shteteve të Ballkanit Perendimor, projekti europian për paqen mbetet i papërmbushur, por për t’u afruar duhet të plotësohen kushtet strikte”.

Përmes një artikulli të përbashkët, ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, dhe ai hungarez, Janos Martonyi, shprehin mbështetjen për të ardhmen europiane të këtij rajoni.

Vëmendja e dy politikanëve, Westerwelle dhe Martonyi u kushtohet lirive thelbësore dhe dimensionit të shtetit ligjor, përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në këtë pikë, pritshmëritë e tyre, sic shkruajnë, përputhen me reformat që qytetarët e rajonit kërkojnë nga qeveritë e tyre.

Ata përmendin këtu Malin e Zi dhe Shqipërinë. Për Shqipërinë, shkruhet në artikull, “ajo së fundi ka marrë hapa të mëdha përpara modernizimit dhe ka miratuar ligje kyçe, të cilat duhet të zbatohen me përparësi të lartë”.

Ata i cilësojnë si thelbësore kushtet strikte dhe të drejta. “Vetëm nëse përmbushet plotësisht kriteri politik dhe ekonomik, ne mund të garantojmë që cdo anëtar i ri të plotësojë standardet europiane apo të drejtat dhe detyrimet përkatëse brenda BE-së, në tërësinë e tyre. Kushtet e bashkangjitura në procesin e anëtarësimit janë esenciale në rikthimin e besimit të qytarëve të Europës në kapacitetet zgjeruese të BE-së”.

Dy autorët e artikullit, përmendin pajtimin mes kundërshtarësh të dikurshëm, si kushtin bazë të një të ardhme të përbashkët europiane, duke iu referuar takimit të ndërmjetësuar nga shefja e Politikës së Jashtme, Kethrin Eshton, mes kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë.

Sllovenia është sot anëtare e Bashkimit Europian dhe Eurozonës. Fakti që Kroacia do të jetë vendi i ardhshëm është një sinjal i qartë, që tregon se rruga drejt Europës vazhdon të mbetet e hapur. Westerwelle dhe Martonyi flasin edhe për intensifikimin e pranisë së BE-së në Bosnjë-Hercegovinë.

Procesi i përafrimit me BE ka dëshmuar të jetë një instrument i shkëlqyer, me anë të të cilit përcillet stabilitet dhe nxiten reforma, sic ndodh edhe në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, ku Marrëveshja e Ohrit mbetet një bazë e domosdoshme për bashkëjetesën paqësore mes grupeve të ndryshme të popullsisë.

Westerwelle dhe Martonyi e mbyllin artikullin e tyre me plot besim se, vec Bashkimit Europian, nuk ka të ardhme tjetër për Ballkanin Perëndimor.

Top Channel