Konferenca e Kryetarëve prezanton buxhetin 2013

22/11/2012 00:00

Konferenca e Kryetarëve nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina
Topalli miratoi të enjten kalendarin e shqyrtimit në komisione
parlamentare dhe në seancë plenare të projektligjit “Për buxhetin e
vitit 2013”.

Projektbuxheti për vitin 2013 u paraqit përpara Konferencës së Kryetarëve, në prani të kryetarëve të grupeve parlamentare dhe kryetarëve të komisioneve të përhershme nga zëvendësministri i Financave, Nezir Haldeda.

Në fjalën e tij përpara Konferencës së Kryetarëve, Haldeda paraqiti shkurtimisht disa nga arritjet dhe realizimet e buxhetit të vitit 2012, duke nënvizuar se sipas vlerësimit të institucioneve financiare ndërkombëtare, Shqipëria ka treguar stabilitet makroekonomik duke mundur të shmangë në masë të konsiderueshme prekjen nga kriza.

Për vitin 2013, sipas zëvendësministrit, Qeveria parashikon një rritje ekonomike prej 4%, ruajtjen e inflacionit në nivelin 3% dhe ruajtjen e nivelin të borxhit publik në 62,6%. Përsa i përket nivelit të importeve në vlerë nominale ato parashikohen në 6,4%, ndërsa eksportet në 25%.

Kalendari i miratuar me konsensus nga Konferenca e Kryetarëve parashikon shqyrtimin në seancë plenare në parim të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2013” në datë 7 dhjetor 2012, ndërkohë që nen për nen dhe në tërësi do të shqyrtohet në datë 17 dhjetor.

Top Channel