PDIU tërhiqet nga “Avni Rustemi”

20/11/2012 19:55

PDIU tërhiqet nga kërkesa për t’i vënë emrin “Çamëria” sheshit që mban emrin e Avni Rustemit. Pas kreut të PDIU-së, Shpëtim Idirzi, edhe presidenti i nderit i kësaj partie Tahir Muhedini, i cili në cilësinë e anëtarit të Këshillit Bashkiak ka bërë propozimin, tha se kërkesa do të bëhet për sheshin në afërsi të stadiumit Dianmo.

“Unë gjeta konsensus si nga bashkia dhe nga shqiptarët, që këtë çështje ta zgjidhim me konsensus dhe të marrim një vend para stadiumit “Dinamo”. Kjo do jetë një dhuratë mjaftë e mirë për gjithë qytetarët”, deklaroi Muhedini.

Edhe nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Petrit Vasili, në emër të LSI-së u deklarua kundër variantit për sheshin “Avni Rustemi”.

“Sheshi “Avni Rustemi” ka një simbolikë patriotike të spikatur. Kushdo që do të diskutonte rolin historik të Avni Rustemit do bënte një gabim shumë të rëndë. Ne duhet t’i shtojmë simbole të tjera kryeqytetit. Bashkia ofron mundësi të tjera për këshilltarët e PDIU-së, por pa vënë në diskutim vlerat e padiskutueshme të figurës së Rustemit”, deklaroi Vasili.

Top Channel