Tre shtetas shqiptarë në Itali janë bërë protagonistë të një episodi negativ, pasi të rekrutuar nga tre shtetas italianë, kanë marrë pjesë në një pengmarrje.
Por nuk bëhet fjalë për një peng dosido, por për atë që konsiderohet si financieri kryesor i manjatit Silvio Berlusconi, Giuseppe Spinelli.
Sipas raportimeve të mediave italiane, grupi i kriminelëve, të udhëhequr nga një italian me origjinë bareze, ka mbajtur peng Spinelli-n dhe bashkëshorten e tij në shtëpinë e tyre në tetor.
Objektivi i tyre ishte t’i përdornin si ndërmjetës dhe t’i propozonin ish-kryeministrit Berlusconi një shkëmbim prej dokumentesh sekrete të rëndësishme dhe 35 milionë eurove.
Sipas burimeve, mes dokumentave sekrete ishte një video me protagonist politikanin e njohur Gianfranco Fini, teksa bisedonte me gjyqtarët e çështjes së Lodo Mondadori, kompani në pronësi të Berlusconi-t.
Hetuesit nuk e përjashtojnë mundësinë që të jetë paguar një shumë parash, e cila dyshohet të jetë spostuar nga një kasafortë e të arrestuarve në një vend tjetër. Bëhet fjalë për 8 milionë euro.
Gjashtë pengmarrrësit u identifikuan për shkak të pasionit të shefit të tyre për ekipin e Milanit, pasi gjatë dhe pas pengmarrjes mbante të veshura këpucë me viza të kuqe dhe të zeza.
Emrat e shqiptarëve të arrestuar nuk janë publikuar, ndërkohë që moshat e tyre janë 33, 29 dhe 28 vjeç. Hetimet mbi çështjen vazhdojnë, pasi ende ka paqartësi mbi ditën e pengmarrjes, ndërkohë që në forumet e mediave të vendit fqinj, ngjarja konsiderohet si një lojë politike.
Top Channel