PS: Vendimet e ERE-s sollën 30 mln USD humbje

15/11/2012 00:00

Deputeti i Partisë Socialiste Arben Ahmetaj akuzoi Entin Rregullator të
Energjisë se ka ulur çmimin e faturimit të energjisë elektrike, me të
cilin KESH ia shet energjinë CEZ-it, pa ulur tarifat finale për
qytetarët. Ahmetaj thotë se dëmi i shkaktuar është rreth 30 milionë
dollarë në vit.

“Kam një vendim të Entit Rregullator të Energjisë numër 97, i vitit 2010, i cili e ul çmimin për faturimin ndaj KESH në CEZ, në 1.48 lekë. Cilat janë arsyet që KESH në vendime të ndryshme ka vazhduar gjithashtu të ulë çmimin e KESH ndaj CEZ, ndërkohë që çmimi që i faturon qytetarëve vetëm është rritur dhe në krahasim me vitin 2005 është rritur me 200 për qind. Ka një pyetje shumë të rëndësishme që ERE duhet t’i përgjigjet drejtpërsëdrejti: Cila është arsyeja që ERE ka ulur çmimin e KESH-it duke shkaktuar një dëm marramendës? Kjo aferë meriton një hetim nga institucionet përgjegjëse”, tha Ahmetaj.

Reagon CEZ

Pas deklaratave të deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj ka reaguar kompania e shpërndarjes CEZ e cila i cilëson të pavërteta pretendimet e opozitës se kompania ka dështuar në përmirësimin  cilësisë së shërbimit, uljes së humbjeve në rrjet dhe realizimin e investimeve.

“Shoqëria ka bërë të gjitha përpjekjet për të siguruar furnizmin me energji elektrike për klientët që e paguajnë atë’, thuhet në deklaratën e CEZ. Duke iu referuar investimeve në rrjetin e shpërndarjes, kompania thotë se ka investuar më shumë se 83 milionë euro nga viti 2009 me qëllim përmirësimin e përformancës së humbjeve. Po ashtu CEZ kundërshton që ERE apo institucione të tjera publike e kanë mbështetur duke deklaruar të kundërtën.

‘Një nga vendimet e fundit të ERE ka penguar shoqërinë të tërheqë një pjesë të konsiderueshme të kredisë së dhënë nga Berzh/IFC që do të ishte përdorur për zbatimin e planit të investimeve’, vazhdon deklarata.

Duke vazhduar më tej, CEZ thotë se nuk është angazhuar dhe nuk do të angazhohet në asnjë praktikë transferimi të fondeve jashtë Shqipërisë që është në shkelje të kuadrit rregullator.

 

Top Channel