Hetim CEZ-it për ndërprerjet

12/11/2012 00:00

Enti Rregullator i Energjisë ka nisur procedurat për vendosjen e masës
administrative të gjobës mbi 4.5 milionë dollarë ndaj CEZ-Shpërndarje,
për shkak të ndërprerjeve kolektive të energjisë elektrike që kompania
ka kryer në disa zona të vendit.

Në mbledhjen e Komisionerëve të Bordit të ERE, drejtori Juridik Eduard Elezi tha se pas kontrolleve në terren rezulton se CEZ-i ka shkelur ligjin duke ndëshkuar të gjithë banorët ndonëse kontratat janë individuale.

“Ligjërisht kjo nuk i jep të drejtë shoqërisë CEZ të bëjë stakime kolektive në forma të ndryshme, qofshin ato në formë të fiderave të tërë ose nëqoftëse kjo edhe në format e tarimeve të mbrojtjes maksimale të transformatorëve në nënstacione”, tha Elezi.

Komisionerët u shprehën kundër ndërprerjeve kolektive të energjisë, por theksuan nevojën e mbështetjes ndaj Cez për mbledhjen e parave që nuk paguhen nga konsumatorët.

Sipas ERE zonat më problematike janë Shkodra, Peshkopia, Kukësi, Lezha dhe Tirana. Për shkak të ndërprerjes së energjisë banorët kanë protesuar duke kërkuar dënim individual për ata që nuk e paguajnë energjinë. Protestat janë përshkallëzuar deri në përballje me policinë dhe tentativë të banorëve për të hyrë në nënstacionin elektrik.  

CEZ: Nuk bëjmë prerje kolektive

Pas deklaratave të entit rregullator se ka nisur procedimin administrativ ndaj kompanisë CEZ për ndërprerje të paligjshme, ka reaguar kompania ceke.

Përmes një njoftimi zyrtar cez thotë se lidhur me pretendimet e ngritura kohët e fundit, nga palë zyrtare ose jo, për ndërprerje kolektive të energjisë nga CEZ Shpërndarje, kompania sqaron se ndërprerjet e furnizimit me energji kryhen vetëm per klientët debitorë dhe kabinat 100% debitore. Në asnjë rast, kompania nuk ka kryer të ashtuquajtura “dënime kolektive”.

CEZ thotë se ka njoftuar vazhdimisht se në zonat e ndërprerjeve, persona të papërgjegjshëm, të cilëve iu është ndërprerë furnizimi me energji për shkak të mospagesave, janë rilidhur vetë në mënyrë të paligjshme në rrjetin e shpërndarjes. Këto veprime kanë shkaktuar difekte në rrjet dhe kanë lënë pa energji edhe zonat përreth.

Top Channel