Paketë ndihme për rajonin

11/11/2012 00:00

Tre nga institucionet më të mëdha donatore në rrafshin ndërkombëtar, Banka Botërore, Banka Europiane e Investimeve dhe BERZH kanë rënë dakord për një plan të përbashkët antikrizë në Europën Qendrore dhe atë Juglindore.

Marrëveshja e nënshkruar dy ditë më parë parashikon një paketë financimesh prej 30 miliardë euro për dy vitet e ardhshme që do shkojnë për 18 vende të rajonit, lista e të cilave nis me Shqipërinë. Lajmi është bërë publik nga një deklaratë e përbashkët e tre presidentëve të këtyre institucioneve.

Qëllimi kryesor i paketës do të jetë rigjallërimi dhe rritja ekonomike në rajon, i cili po vuan pasojat më të mëdha nga kriza e Eurozonës. Shumica e vendeve jo vetëm që kanë parë tkurrje të fortë të rritjes ekonomike, por tashmë po përballen me një recesion të dytë. Paralelisht, kriza ka goditur edhe financat publike duke i vënë qeveritë në rrezikun e borxheve të rritura.

Këto kanë qenë arsyet se pse donatorët kanë vendosur të ndërhyjnë me një plan emergjent, i cili bazohet mbi modelin që u përdor në vitin 2009 për të mbështetur me likuditet sektorin financiar në disa vende të Europës Qendrore, që rrezikoheshin nga falimente masive bankash. Këtë herë, plani do të jetë një kombinim kredish të buta për qeveritë, por edhe financime direkte për sektorin privat, kryesisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në disa sektorë, përfshirë edhe energjinë e rinovueshme.

Paketa duket një mundësi e mirë për Shqipërinë, jo vetëm për të lehtësuar krizën e financave të qeverisë duke zëvendësuar borxhin e shtrenjtë me kreditë e lira, por edhe për të injektuar kapitale të reja në treg, ku bizneset prej kohësh përballen me mungesë likuiditeti. Por ajo që mbetet për tu parë është se sa do të jetë e aftë Shqipëria të thithë nga paketa 30 miliardë euro.  

Top Channel