Ndërtimi në krizë të thellë

10/11/2012 00:00

Ndërtimi po zhytet në një krizë që sa vjen e thellohet, për shkak të rënies së vazhdueshme të kërkesës.

Vetëm gjatë tre muajve të fundit, ky sektor ka shënuar një rënie prej 25 për qind, ndërsa Shoqata e Ndërtuesve thotë se kriza në ndërtim, jep efekt zinxhir në bizneset e tjera.

“Rënia ka qenë nga 17 për qind në fillim të vitit, deri në 20-25 për qind në këtë periudhë të fundit. Eshtë një rënie shumë e thellë. Nëse nuk lëviz fare industria e ndërtimit, kjo sjell pasoja edhe në biznese të tjera. Mos harrojmë që me biznesin e ndërtimit janë të lidhura edhe 130 biznese të tjera në sistemin zinxhir”, thotë Ilir Hebovija nga Shoqata e Ndërtuesve.

Ndërtuesit thonë se rënia e kërkesës shpjegohet me rënien e kreditimit të bankave për shtëpitë, por edhe tkurrjen e shpenzimeve të emigrantëve për shkak të krizës në vendet ku jetojnë.

“Ka rreth 14 për qind rënie në tremujorin e tretë vitit 2012, sidomos kreditimi për shtëpitë. Ka rënë kërkesa për shkak edhe të rënies së kërkesave nga ana e emigrantëve. Ata kursejnë për shkak se edhe atje ka krizë. Edhe për shkak të ligjit të pastrimit të parave, një pjesë e këtyre emigrantëve kanë punuar në të zezë dhe nuk kanë sesi të deklarojnë burimin e parave”, thotë Hebovija.

Përvec ‘real estate’, goditje ka pësuar edhe infrastruktura për shkak të tkurrjes së madhe të investimeve publike. Ndërtuesit kërkojnë shkrirjen e marrëdhënies së këtij biznesi me bankat, të cilat sipas tyre kanë likujditete që mund t’i vënë në punë, qoftë edhe përmes një garancie nga ana e shtetit.

Top Channel