“Albpetrol”, Haxhinasto: Kontrata, brenda vitit

09/11/2012 00:00

Ministri i Ekonomisë, Edmond Haxhinasto ka folur për herë të parë publikisht për negociatat e shitjes së kompanisë Albpetrol.

Zoti Haxhinasto tha se procesi po shkon sipas afateve ligjore dhe do të përfundojë brenda datës së parashikuar në ligj, që përkon me filimin e muajit të ardhshëm.  

“Ky proces ka filluar është brenda të gjithë kufijve ligjorë, ashtu siç e ka parashikuar edhe kontrata e blerjes, sigurisht që duhet të respektojmë këto kufij ligjorë dhe në fund pastaj të konkludojmë me kontratën e blerjes së këtyre aksioneve”, tha Haxhinasto.

Në lidhje me garancinë prej 20 për qind që kompania fituese duhet të ngrijë për llogari të Qeverisë shqiptare, kreu i Ekonomisë tha se sipas ligjit ajo mbyllet kur të nënshkruhet kontrata.

“Ky 20 përqindësh ngurtësohet në momentin që përfundon kontrata për t’u firmosur dhe kjo është e kërkuar në mënyrë shumë të qartë nga ligji në këtë mënyrë”, tha Haxhinasto.

Kreu i Ekonomisë ka folur edhe për krizën financiare që është krijuar në sektorin energjetik, duke konfirmuar se marrëdhëniet mes Qeverisë dhe CEZ janë problematike.

“Qeveria do të marrë të gjitha masat që kjo performancë të përmirësohet në sistemin e shpërndarjes dhe nuk ka rëndësi nëse ky shërbim ofrohet nga CEZ-i apo nga ndonjë entitet tjetër publik apo privat”, tha Haxhinasto.

Qeveria ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar mbi fatin e sektorit të shpërndarjes, i cili po përballet me një krizë të thellë financiare duke detyruar qeverinë të ndërhyjë për të garantuar furnizimin e vendit me energji.  

Top Channel