Nis kontrolli në bilancet e CEZ-it

08/11/2012 00:00

Enti Rregullator i Energjisë deklaroi se ka nisur të verifikojë bilancin
e CEZ-it për të parë shkaqet e gjendjes së vështirë financiare të
kompanisë.

“Përderisa ne jemi shprehur me një tarifë të përcaktuar me kompaninë e shpërndarjes është parë, që kompania me këto të ardhura që mund të ketë ose me këto elementë që janë marrë parasysh në përcaktimin e tarifës në kompanitë shpërndarëse, mund të jetë funksionale dhe duhet të jetë funksionale. Duhet një monitorim nga se kompania ka patur vështirësi financiare dhe cilat janë ato shpenzime që kompanisë i kanë sjellë vështirësi financiare”, tha drejtori Juridik i ERE-s, Eduard Elezi.

Kreu i Zyrës Juridike të Entit tha se pas përfundimit të kontrolleve, Bordi i Komisionerëve do të marrë edhe vendimi përfundimtar në lidhje me licensën e kompanisë.

“Me mbarimin e informacionit përfundimtar dhe relatimin e këtij informacioni pranë Bordit të Komisionerëve do të jenë drejtoritë teknike, të cilat do t’i propozojnë Bordit që të kemi një vendimmarrje në lidhje me çështjen që po flasim”, tha Elezi.

Në deklaratën publike, autoriteti që rregullon sektorin e energjisë i është përgjigjur edhe akuzave të opozitës, e cila një ditë më parë tha se CEZ ka transferuar dhjetëra milionë euro jashtë shtetit.

“Nuk është detyrë e Entit të ndjekë apo mbikëqyrë lëvizjet e fluksit të parave të një licensuari, qoftë kjo edhe shoqëria CEZ- shpërndarje. Ajo që kërkohet nga ERE është monitorimi i realizimit faktik i shpenzimeve të të licensuarit, përfshirë shpenzimet operative dhe ato për investime dhe krahasimi i tyre me ato të parashikuara në tarifë”, tha Elezi.

Sistemi energjetik në vend po përballet me një krizë të thellë financiare, që ka përfshirë si kompaninë private të shpërndarjes, CEZ ashtu dhe korporatën publike të prodhimit KESH, një situatë që detyroi Qeverinë të ndërhynte për të siguruar furnizimin me energji të vendit.

Top Channel