Fasonët kundër Qeverisë

08/11/2012 00:00

Fasonët kundërshtojnë rritjen me 500 për qind të gjobave, në rastet kur
kompanitë do të zbulohen se punësojnë njerëz pa kontrata.

Sipas ndërmarrjeve, që kryesisht prodhojnë veshje dhe këpucë për eksport e ku numërohen rreth 100 mijë të punësuar në të gjithë vendin, ky ndryshim ligjor do t’u krijojë hapësira për abuzim inspektorëve tatimorë, duke krijuar probleme te medha.

“Rritja me 500 për qind e gjobës për mosdeklarim të punonjësve, nga 100 mijë lekë në 500 mijë lekë nuk gjykojmë se do të frenojë informalitetin, që është i ulët në këtë sektor. Kjo masë do të ndihmojë klientelizimin, duke krijuar mjedis për konkurrencë të pandershme në treg”, thotë Lindita Legisi, kryetare e Dhomës Kombëtare të Prodhimit të Veshjeve..

“I japin thikën në dorë administratorëve të ndryshëm, inspektorëve të ndryshëm, jo për të zbatuar ligjin sepse ky është ligj që nuk mund të zbatohet, por për të marrë rryshfet”, thotë Sajmir Bidaj nga Dhoma Kombëtare e Prodhimit të Veshjeve.

Bordi drejtues i Dhomës Kombëtare të Prodhimit të Veshjeve Bardhi Sejdarasi shprehet se paralelisht me këtë masë drastike, qeveria duhet të miratonte projektin për regjistrimin online të punonjësve.

“Paralele më ketë që Qeveria kërkon ta marrë si masë, duhet detyrimisht të zbatohet projekti për deklarimin online të tw punwsuarve nga cdo cep i Republikës, me qëllim që të mos i japim asnjë mundësi inspektorëve, veçanërisht atyre të pandërgjegjshëm, që të abuzojnë pikërisht me këtë masë”, thotë Sejdarasi.

Fasonistët thonë se kjo industri ka pësuar një rënie prej 24 për qind me shume krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe se prej kohësh po përpiqet të mbijetojë për shkak të krizës ekonomike.

Ndërkohë i pranishëm në takimin rajonal e ndërkombëtar të Industrisë Tekstile të Ballkanit, ministri i Ekonomisë Edmond Haxhinasto ka premtuar nje pakete masash që sipas tij do të ndihmojnë ndërmarrjet fasone.

Top Channel