Prej 5 muajsh Tone Marku ka mbetur e ngujuar në këtë karrige me rrota. E paralizuar dhe e ve.
40-vjeçarja është një nga të mbijetuarat e masakrës së Pukës. Ngjarja e
ndodhur më 28 qershor të këtij viti, tronditi opinionin publik jo vetëm
për numrin e viktimave dhe të plagosurve brenda të së njëjtës familje,
por dhe për faktin që ishte një ngjarje e paralajmëruar.

“Isha me burrin për festë dhe të nesërmen kur u kthyem na dolën para katër kriminelë. Vranë burrin tim, kunatin. U plagosëm unë, kunata dhe nipi i burrit”, tregon Tonia.

Tonia thotë se të gjithë do të kishin jetën e mëparshme nëse do merreshin parasysh paralajmërimet e famijes së saj: “Një muaj e gysmë më parë nipi kishte denoncuar në komisariat sepse nipi i burrit ishte kërcënuar me armë në rrugë. Policia thoshte se nëse nuk ka plagosje ose vrasje nuk kishte çfarë të bënte.”

Por tashmë s’ka më sikure. Tragjedia ndodhi, por ende s’ka marrë fund. Ajo çfarë e bën të druhet këtë familje që ka humbur 2 anëtarë të saj, ka lënë të paralizuar Tonen dhe ka lënë fëmijë pa prindër, është fakti se dy nga autorët janë ende të lirë.

“Shteti s’ka bërë gjë. Të rrinë më lirshëm kriminelët sesa unë është katastrofë”, shprehet gruaja.

Kunati i Tones, vëllai i viktimave, Bardhoku, thotë se realisht familja e tij është e kërcënuar: “Të kërcënuar ndjehemi sepse autorët janë të lirë. Nëse do të ndeshemi në rrugë, o ata, o unë.”

Megjithë dhimbjen e madhe për të afërmit dhe për mosvënien në vend të drejtësisë, familja Markaj ende s’e ka humbur shpresën tek shteti: “Autorët janë të lirë dhe kjo mund të sjellë një fatkeqësi tjetër. Ne ia kemi lënë në dorë shtetit.”  

Bardhoku tregon se familja e tij po bën gjithçka për të mos zgjedhur vetëgjyqësinë edhe pse është e vështirë kur dëgjon se vrasësit e vëllezërve të tij lëvizin lirshëm, aq më tepër që edhe shtëpitë i kanë afër, në Kamëz të Tiranës.

“I kam shkruar kryeministrit, ministrit të rendit, por s’kam marrë përgjigje. Unë dua vetëm që shteti të bëjë punën”, tregon Bardhoku.

Ndërsa Tonia do të bëjë publikisht një paralajmërim të dytë, kësaj radhe me shpresën se s’do bjerë në vesh të shurdhër: “I bëj thirrje shtetit të kapë kriminelet sepse kam frikë të nxjerr fëmijën në rrugë. I bie që ai të lërë shkollën sepse nuk ka shtet.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA