Buxheti 2013, me borxh 64%

06/11/2012 00:00

Kryeministri i vendit ka përpara dy skenarë. I pari, zbatimi i buxhetit
të shtetit duke ruajtur nivelin e borxhit publik, nën 60% të PBB-së,
kurse skenari i dytë, të miratojë paketën me shpenzime të larta
buxhetore, që e rrisin kufirin në 64 për qind.

Dje, Kryeministri foli në mbledhjen e grupit parlamentar të PD dhe parashtroi planin elektoral të vitit 2013, duke synuar fitoren e madhe të zgjedhjeve, duke rritur pagat dhe pensionet.

Buxheti i shtetit për 2013-n duhet të kishte kaluar me kohë në qeveri dhe aktualisht duhet të ishte në diskutim e sipër në Kuvend, por është vonuar për shkak të këtyre skenave. Me shumë gjasa dhe duke pasur parasysh deklaratat e Kryeministrit, ky i fundit do të zgjedhë skenarin e dytë, me buxhet të lartë, me më shumë shpenzime, dhe natyrisht me borxh mbi 64 për qind. Burime nga Ministria e Financave pranojnë se prej një muaji janë në debat me kreun e qeverisë për shkak të tejkalimit të limiteve. Niveli i borxhit pritet të rritet në 850 miliardë lekë dhe mund të shkojë edhe më shumë, me qëllimin e vetëm për të fituar zgjedhjet, ndërsa në të ardhmen shqiptarët do të paguajnë më tepër për pagesat e interesave. Këtë vit ne do të paguajmë 50 miliardë lekë për shlyerjen e kredive, ndërsa në të ardhmen do të jenë edhe më të larta.

Prej kohësh, eksponentë të lartë të PD kanë hedhur në media variante të ndryshme, që në thelb kanë pasur rritjen e borxhit publik, duke mos qenë peng i kufirit ligjor. Sipas tyre, rritja ekonomike nuk mund të stimulohet, duke frenuar shpenzimet tek investimet, ndërsa vendi nuk mund të qëndrojë peng i kufijve të borxhit publik.

Dy janë variantet paraprakë të buxhetit të ri. I pari, për shpenzime deri në 420 miliardë lekë, kurse i dyti rreth 390 miliardë lekë. Nëse për të parin Financat kanë parashikuar një rritje ekonomike afër 4 për qind, për të dytin nuk dihet ende parashikimi.

Sakaq, të tjera shqetësime vijnë nga Fondi Monetar dhe Banka Botërore. Këto institucione prestigjioze financiare, që asistojnë vendin tonë, prej kohësh ngulmojnë në uljen e borxhit dhe përgatitjen e një buxheti sa më eficent dhe jo mbi baza elektorale. FMN thotë se borxhi publik sakaq është rritur për këtë vit, afër 64% të PBB-së, kurse për vitin 2013 do të shkojë në 65%, me një rritje ekonomike jo më të lartë se 1%. Këto skenarë ka pak a shumë dhe BB-ja, por qeveria duket se ka për qëllim fitimin e zgjedhjeve, pasi kështu deklaron dhe vetë Kryeministri. “Buxheti i vitit 2013 tejkalon ndjeshëm buxhetin e vitit që shkoi. Ai rrok shifrën e mbi 400 miliardë lekëve dhe kjo përbën një arritje madhore në historinë e këtij vendi, dëshmi e performancës, e funksionimit të modelit ekonomik të kësaj mazhorance. Destinacionin e parë dhe jetik, ai e ka në rritjen e rrogave dhe pensioneve. Ky është një zotim solemn i kësaj mazhorance dhe siç ka ndodhur çdo vit, do të realizohet edhe vitin që vjen një rritje e tyre”, tha Berisha.

Top Channel