Investimi për 5 mijë banorë

04/11/2012 20:43

Një segment rrugor 7,2 kilometra, që lidh zonën e urës së Gjadrit me fshatin Mnel, është ndërtuar me një financim të Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe lidh 3 fshatrat e komunës, jo vetëm me njëra-tjetrën por dhe me rrugën Lezhë-Vau i Dejës.

Gjendja e rrugës ka qënë shumë e keqe, duke u bërë pengesë serioze për transportin normal të njerëzve dhe mallrave. Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Benet Beci, gjatë ndjekjes së punimeve në fazën përmbyllëse të tyre, tha se ky segment është e vetmja rrugë lidhëse për 5 mijë banorë.

“Me përfundimin e këtij segmenti rrugor, banorët e kësaj zone do të qarkullojnë në kushte normale transporti, duke lehtësuar lidhjen me shërbimet arsimore, shëndetësore, dhe tregjet.

Ky investim plotëson më së miri nevojat e kësaj komune për infrastrukturë rrugore.  Afërsia me rrugën nacionale Lezhë-Shkodër u krijon mundësi banorëve të zonës, të lidhen me Shkodrën dhe Lezhën, duke diversifikuar kështu mundësitë e lidhjeve ekonomike dhe tregtare.

Punësimi dhe rritja e aksesit në tregun e punës janë një përfitim real i banorëve të kësaj zone. Një fakt tjetër, që dëshmon suksesin e këtij investimi, është tendenca e rikthimit të banorëve të ikur këto 20 vjet. Rikthimi i tyre do të rivitalizojë jetën sociale dhe aktivitetin ekonomik të zonës”.

Fermerët e kësaj zone janë të njohur për prodhimet bujqesore dhe blegtorale dhe rruga sjell lehtësi të medha për transportin e prodhimeve drejt tregut të Lezhës dhe Shkodrës.

Top Channel