Shërbimi Informativ Shtetëror, në udhëkryq

03/11/2012 00:00

Petrit Zambaku – Më 9 Gusht 2012, me propozim të Kryeministrit, Presidenti i Republikës dekretoi shkarkimin nga detyra të drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, z. Bahri Shaqiri, dhe emërimin në vend të tij të z. Visho Ajazi Lika. Ndryshimi u realizua në një periudhë të nxehtë vere, kur politikanët, gazetarët, diplomatët e huaj dhe qytetarët ishin të angazhuar me pushimet verore. Është e natyrshme që në këtë periudhë ndjeshmëria ndaj lajmeve të jetë më e ulët, por megjithatë, shkarkimi u pasua nga reagime dhe komente të ashpra, që në thelb reflektonin shqetësimin për “humbjen” e pavarësisë së institucionit të SHSH dhe mungesën e konsultimit paraprak me partnerët amerikanë.

Në debatin për shkarkimin dhe zëvendësimin e drejtuesit të SHISH, ku u angazhuan në pozicione pro dhe kundër ndryshimeve dy ish-presidentë, kryetari i opozitës, Kryeministri, ministra, deputetë, diplomatë, gazetarë etj., çfarë flet qartë për rëndësinë e çështjes, kam konstatuar me keqardhje se ka munguar mendimi i ekspertëve të sigurisë dhe kryesisht i atyre nga radhët e shoqërisë civile. Mendoj se ky ishte një rast i mirë për të ndihmuar me opinionin e tyre të pavarur dhe profesional, të cilin kemi parë që nuk mungojnë ta japin me terma akademike në aktivitete standard, por që në këtë rast, preferuan të heshtin. Duhet të them se dhe unë kam pasur një moment ngurrimi, për shkak të bindjes që kam krijuar se në Shqipëri fjala nuk ka vlerë, por në fund nuk i rezistova tundimit për t’u shprehur publikisht, jo me qëllimin primar për të komentuar zëvendësimin e drejtuesit, gjë për të cilën do të prononcohem shkurt, por për të kërkuar çeljen e një diskutimi të ri për SHISH, për gjendjen e tij në momentin e ndryshimit të drejtuesit, sepse ajo kushtëzon në masë të konsiderueshme atë që vjen më pas.

Në vlerësimin tim, SHISH gjendet në udhëkryq dhe është i njohur fakti se çdokush që gjendet në udhëkryq, rrezikon të ndjekë rrugën e gabuar nëse nuk zgjedh të duhurën. Për të argumentuar pikëpamjen time mendoj se ka mjaft prova evidente, por për shkak të natyrës specifike të çështjes, më duhet të trajtoj vetëm disa prej tyre dhe në mënyrë të përgjithshme, pa hyrë në hollësi teknike që në ndonjë rast do të ishin të nevojshme.

Kriza në të cilën gjendet SHISH konstatohet lehtë në strukturën e tij, që ndryshon çdo vit. Ndryshimi nuk lejon që institucioni të ketë projekte të qëndrueshme. Sektorët emërtohen me emra të rinj që sugjestionojnë të paditurit, por që në thelb nuk sjellin asgjë të re dhe pozitive. Punonjësit që nuk i zë shkurtimi i vendit të punës për shkak të ndryshimit të qëllimshëm të strukturës, vërdallosen nga njëri sektor në tjetrin pa produktivitet, duke rritur mundësinë e shpërdorimit të atij pak dokumentacioni serioz që ka institucioni. Kjo më kujton batutën e vjetër për SHIK; “shih dhe ik”. Është për të ardhur keq, sepse janë shpërdoruar dhe përpjekjet e shërbimeve partnere, për të ndihmuar me ekspertizë dhe modele strukturore që në vendet e tyre janë funksionalë, për shkakun se aplikuesit e tyre në SHISH nuk arrijnë të kuptojnë se cilët modele i përshtaten vendit tonë. Modelet e zgjedhura i ngjajnë pemëve ekzotike, që në vendin e tyre të magjepsin me produktivitetin, por që të mbjella në kushtet e Shqipërisë janë vyshkur dhe tharë.

Në vlerësimin tim, SHISH ka një handikap të madh dhe me aktet nënligjore të miratuara nga drejtuesi. Këto akte që dalin në bazë dhe për zbatim të ligjit për rregullimin e veprimtarisë së brendshme, kanë nivel të ulët profesional. Ato janë hartuar në mënyrë amatoreske, madje me nuanca folklorike dhe nuk arrijnë të harmonizojnë veprimtarinë e SHISH, sepse përmbajnë në vetvete kontradikta dhe krijojnë hapësirë për veprime subjektive e voluntarizëm në zbatim. Gjithashtu, normat që janë në fuqi lejojnë që me dokumentacionin e klasifikuar të njihet një numër shumë i madh dhe i pajustifikuar personash. Kjo rrethanë ka ulur ndjeshëm shkallën e mbrojtjes së dokumentacionit dhe ka krijuar premisa serioze për rrezikimin e jetës së punonjësve dhe burimeve që angazhohen në procese të rëndësishme.

Argument tjetër është fakti se vitet e fundit, SHISH është kthyer në një “magazinë” që administron në rrugë fizike dhe elektronike një sasi të ekzagjeruar dokumentacioni të klasifikuar. Një pjesë e konsiderueshme e këtij dokumentacioni përmban thashetheme të rëndomta urbane dhe rurale. Nëse do të ishte zbatuar me profesionalizëm ligji, ky dokumentacion nuk do të ekzistonte. Ai jo vetëm që ekziston, por një pjesë e madhe e tij është dërguar për informim dhe vendimmarrje në institucionet më të rëndësishme të shtetit si në; Presidencë, Kryeministri, Ministrinë e Brendshme, të Financave, etj. Për mua është shqetësues fakti se një pjesë e madhe e dokumentacionit që prodhon, administron dhe shpërndan SHISH përgojon pa shkaqe të arsyeshme shumë qytetarë të angazhuar në fusha të ndryshme, prandaj nuk duhet lejuar që SHISH të vazhdojë të shpërdorojë të drejtën që i është dhënë për të mbajtur të fshehtë produktin e punës së vet. E keqja rëndohet më shumë nëse ky dokumentacion do të përdoret pa kriter, sepse mund të përbaltë pa të drejtë shumë qytetarë, madje do t’i pengojë në ambicien për të ecur përpara në fushat ku aspirojnë. Të shpresojmë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri tani, por rreziku shtohet më shumë veçanërisht tani, kur stafi i ri drejtues mund t’i konsiderojë të mirëqena thashethemet që administrohen në SHISH.

Arsye të tjera ka mjaft, por nëse do të duhej t’i përmblidhja, duhet thënë se SHISH është transformuar në një mekanizëm të rëndë burokratik me struktura të pakuptimta dhe të pakoordinuara; pa aftësi ripërtëritjeje me punonjës të rinj efektivë, me buxhet të reduktuar deri në mbijetesë dhe me punonjës të stresuar nga presioni i vazhdueshëm i politikës dhe krimit, që kalojnë pjesën më të madhe të kohës së punës, duke menduar një zgjidhje për hallet e tyre. Në vitet e fundit, SHISH ka lëshuar ndjeshëm terren në favor të shërbimeve të reja që kanë ardhur duke u fuqizuar. Aktualisht është transformuar shumë, aq sa nuk mund të realizojë misionin e vet.

Por kjo gjendje nuk është krijuar papritur në momentin e ndërrimit të drejtuesit. Ajo ka qenë prezente në forma të ndryshme herë evidente dhe herë më pak evidente që nga momenti i krijimit të tij. Me një vështrim të shkurtër historik, shohim se SHISH është pasardhës i Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK) të projektuar dhe krijuar nën emergjencën e vitit 1991. Projekti për krijimin e SHIK erdhi vrullshëm si domosdoshmëri për transformimin e Sigurimit të Shtetit në një agjenci informative, që i përshtatej ndryshimeve që ndodhën në Shqipëri në vitin 1990. Duhej që shërbimi i ri të ishte tërësisht i ndryshëm nga Sigurimi i Shtetit. Për këtë arsye, duhej konceptuar një agjenci informative, imazhi i së cilës kishte rëndësi vendimtare. Ligji u miratua në korrik të vitit 1991 dhe u bë baza e organizimit dhe veprimtarisë së SHIK-ut të ri. Ligji, ndër të tjera, parashikonte që; objekt i punës së SHIK të ishte vetëm veprimtaria antikushtetuese; SHIK të ishte organ i depolitizuar; nga ana strukturore, të ndahej nga Ministria e Brendshme; të bashkohej zbulimi dhe kundërzbulimi në një agjenci, si dhe të vendosej nën vartësinë e Presidentit të Republikës.

Në tetor të vitit 1998, u miratua ligji i ri për SHIK, që shfuqizoi atë të vitit 1991. Ky ligj që është ende në fuqi, e kthente SHIK-un në një agjenci me atribute thjesht informative; e ndalonte të kryente veprimtari policore dhe ushtarake; e vendoste veprimtarinë e tij në funksion të sigurisë kombëtare; si dhe e hiqte nga vartësia e Presidentit të Republikës, duke e vendosur nën vartësinë e Kryeministrit. Duhet thënë se ligji u ndryshua përsëri nën ndikimin e rrethanave të vështira që kaloi gjatë viteve 1997-1998. Pra dhe këtë herë, ndryshimet erdhën nga nevoja për përmirësimin e imazhit. Për imazhin e SHIK-ut ka kontribuar dhe Gjykata Kushtetuese, e cila me vendimin nr. 61, datë 22.11.1999 shfuqizoi emërtimin “Kombëtar” si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe pas hyrjes në fuqi të vendimit SHIK u quajt SHISH.

Periudhat në të cilat ka kaluar SHISH deri tani përbëjnë së bashku “fazën emergjente” të tranzicionit. Kjo fazë kur vendimet merreshin nën ndikimin e rrethanave dhe ngjarjeve të rënda ka disa vite që ka përfunduar. Projekti i vitit 1991 dhe 1998 mendoj se është përmbyllur, por fatkeqësisht ende nuk ka një projekt të ri për fazën e konsolidimit. Unë e kam një të tillë dhe nga pozitat e shoqërisë civile jam i gatshëm ta paraqes për diskutim në momentin kur diskutimet për këtë çështje të jenë çelur. Nevoja për një projekt të ri është imediat, për të strukturuar një institucion efektiv në situatën e vështirë kriminale që gjendet Shqipëria, kur krimi i organizuar dhe korrupsioni kanë marrë përmasa të frikshme dhe kanë kapur institucionet jetike të vendit, si dhe për të mos lejuar që nga paaftësia për të bërë atë që duhet, SHISH të vazhdojë të bëjë dëme në kurriz të qytetarëve.

Në mbyllje, dëshiroj të shpreh përmbledhurazi opinionin tim dhe për ndryshimin e drejtuesit të SHISH-it. Për drejtorin e shkarkuar mendoj se zëvendësimi pas dhjetë viteve në drejtimin e SHISH, duke përfshirë dhe kohën kur ka punuar si shef kabineti pranë të ndjerit Kujtim Hysenaj, nuk përbën shqetësim, sepse ai ka qëndruar në detyrë sa askush tjetër më parë. Të mendosh pastaj se ka punuar shtatë vjet me të njëjtin kryeministër, do të thotë se bashkëpunimi nuk ka qenë i keq, siç përpiqen ta paraqesin. Gjithashtu nuk jam i mendimit se shkarkimi ishte i papritur aq sa na ka çuditur, sepse për mua që e kam njohur në marrëdhënie pune, i çuditshëm ka qenë emërimi në krye të SHISH. Gjithashtu, mbrojtja nominative e tij ka ndikuar për radikalizimin e qëndrimit të palëve dhe nuk ka lënë hapësirë për çeljen e një procesi të nevojshëm për ekzaminimin e gjendjes së SHISH, në përfundim të të cilit do të dilte natyrshëm dhe emri i drejtuesit të ri.

Drejtuesin e ri nuk e njoh, por mendoj se e ka marrë detyrën në rrethana të pafavorshme. Pavarësisht se emërimi ka ndjekur procedurë të rregullt ligjore, ai është i paragjykuar dhe nuk gëzon besimin e plotë të politikës, që do t’i nevojitej shumë për të punuar i qetë. Detyra bëhet dhe më e vështirë kur në SHISH-in që do të drejtojë mungojnë teknicienët dhe punonjësit me vizion. Kjo rrezikon që drejtimi i sektorëve të rëndësishëm të SHISH të kalojë nga “miqtë servilë dhe injorantë” të paraardhësit te “militantët pasionantë”. Ndaj rekomandoj që drejtuesi i ri të mos mbështetet tek pasioni, por tek arsyeja, sepse pasioni e shkatërron mbartësin e vet. Duke i uruar punë të mbarë, dua t’i them se këto që shpreha më lart nuk kanë për qëllim ta demoralizojnë, por ta bëjnë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që ka.

 

Gazeta “Shqip”

Top Channel