Klandestinë drejt Greqisë, ndalohet autobusi

03/11/2012 18:45

Një autobus i linjës Shkodër-Athinë është ndaluar nga policia greke në Janinë. Sipas policisë helene, autobusi i markës “Bova” me targa greke u kontrollua nga agjentët, të cilët në brendësi të tij, në një vend të posaçëm, gjetën të fshehur tre emigrantë klandestinë me shtetësi shqiptare.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se tre shqiptarët, përkatësisht 25, 30 dhe 31 vjeç, ishin regjistruar në katalogun e personave të padëshiruar në Greqi. Menjëherë policia lokale ndaloi edhe dy drejtuesit e automjetit.

Autoritetet policore të Janinës deklaruan se po hetohet lidhur me një linjë të rregullt trafiku të klandestinëve të zhvilluar nëpërmjet të arrestuarve dhe personave të tjerë, të shpallur në kërkim.

Të ndaluarit u thanë policëve se kishin paguar për transportin e tyre për në Athinë një shumë prej 1.000 eurosh secili. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3.500 euro të përfituara nga trafiku, 12 celularë dhe autobusi i kompanisë greke.

Pak kohë më parë ishte Shoqata e transportuesve ndërkombëtarë shqiptarë të udhëtarëve që i bëri thirrje autoriteteve që të hetojnë lidhjet e kompanive të caktuara të transportit me botën e krimit.

Transportuesit ankohen se disa kompani të përfshira në trafiqe mallrash kontrabandë dhe kalim klandestinësh ulin çmimin e biletave dhe krijojnë konkurrencë të pandershme ndaj transportuesve shqiptarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA