Belgjika kthen 51 azilkërkues

24/10/2012 20:00

Shteti belg ktheu në Shqipëri 51 persona që kishin kërkuar azil politik në Belgjikë. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit i paralajmëroi edhe njëhere të gjithë ata që do të shkelin rregullat e qëndrimit në BE do të kthehen mbrapsht dhe se janë lehtësisht të verifikueshëm, pasi emrat e tyre janë në databazën e policisë.

“Sigurisht që po vijojnë këto operacione, të këtyre përmasave dhe garantojmë qytetarët shqiptarë se kushdo që do shkelë rregullat e qëndrimit në BE do riatdhesohet në Shqipëri”, deklaroi Burgaj.

Ndërkohë, shefi i policisë belge, i cili kreu operacionin e kthimit të shqiptarëve, zoti Vartestrade e konsideroi të papranueshëm faktin që çdo muaj 70 shqiptarë kërkojnë azil në Belgjikë. Sipas tij, shumë prej tyre kanë humbur punën në Greqi dhe kërkojnë azil politik në Belgjikë.

Ndërkohë, një rritje drastike e kërkesave për azil është verifikuar në shtetin e Suedisë në periudhën janar-gusht 2012. Të paktën 1 mijë e 43 persona kanë kërkuar gjatë kësaj periudhe azil në shtetin nordik.

Autoritetet suedeze kanë nxjerrë një urdhër të brendshëm ku thuhet se të gjithë azilkërkuesit nga Shqipëria duhet të kthehen në vendin e origjinës së tyre brenda një afati kohor 6-mujor.

Ato kanë deklaruar se pjesa më e madhe e tyre nuk paraqesin asnjë rrezik dhe se arsyet për të cilat ata kërkojnë azil janë tërësisht ekonomike. 

Gjatë mbrëmjes policia, njoftoi se arrestoi kryetarin e Komunës Zall-Herr si edhe kryeplakun për falsifikim dokumentash për azilkërkim, të cilat iu gjetën një shtetasi në aeroportin e Rinasit. 
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA