Fenomeni social pas vrasjes së Aishes

15/10/2012 00:00

Na ka tronditur të gjithëve ngjarja me Aishe Vatën. Na ka tronditur për nga përmasat e krimit, prerja e kokës, profili i viktimës, një vajzë e urtë dhe nxënëse e mirë siç e përshkruajnë ata që e njihnin; profili i vrasësit të dyshuar, një burrë në moshë të thyer, me precedentë të mënjërshëm kriminal.

Na ka shqetësuar edhe e nesërmja e ditës së krimit, kur familja e viktimës, Aishes, njihet me shtrirjen e gjemës, hollësitë e vrasjes dhe mbyll dyert për mort.

Ndjenja të përziera të turpit dhe dhimbjes për vajzën; dhembje të cilën janë detyruar ta konsumojnë në heshtje.

Familja Vata kishte lënë Surroin e Kukësit për t’u zhvendosur në vitin 99 në fushat e buta të Durrësit, në kërkim të një jete më të mirë. Vetë Ajsha, e abuzuar prej fëmijërisë, e sheh fillimin e fakultetit të infermierisë si një mundësi për tu shkëputur nga e kaluara e saj e errët dhe për të nisur një jettë re. Ëndrra të prera në mes, një fund tragjik.    

Për të folur për aktin makabër të Xhafzotajt, në studion e “Pasdites” ishte e pranishme gazetarja e kronikës në “Top-Channel”, Anila Hoxha, psikologia Elida Rrapti dhe mjeku androlog, Edvin Dani.

Duke nisur debatin e “Pasdites”, në lidhje me këtë krim makabër dhe krime të tjera që kanë tronditur ndërgjegjen e shoqërisë në këto vite, Hoxha tha: “Në 14 vjet punë kam ndjekur krimet kundër femrës, nga më makabret dhe të padëgjuarat e të paharrueshmet. Të gjithë nuk kemi harruar Kozeta Hysenin, në vitin 1999, trupi i copëtuar, autorët dhe motivet e atij krimi të pagjetura kurrë. Mirjeta Avdyli u copëtua në Durrës, autori nuk u gjet asnjëherë. Trupi i një vajze u gjet më pas i copëtuar në Zall-Her. Në atë rast, u tha se vrasja ishte vepër e një manjaku në Malin e Zi, por nuk u gjet kurrë identiteti i vajzës së vrarë. Tronditëse ka qenë një rast në Krrabë, ku një 28-vjeçare u vra, u copëtua dhe u dogj. Ajo u identifikua pas hetimesh intensive, autorët u kapën. Ka pasur edhe shumë raste të  tjera që kanë shokuar opinionin”.

Megjithatë, në rastin e Aishes, Anila sheh një veçanti. “Ndryshimi në këtë rast është se ajo u masakrua nga një manjak pedofil, ajo ishte viktimë që më parë, u abuzua që 13 vjeç. Më ka bërë përshtypje, gjithashtu mënyra se si shumë njerëz e kanë gjykuar këtë rast. Sot më ka rastisur që ndesha në një tryezë me një vështrim të ngushtë të njerëzve përse ajo nuk tregoi. Megjithatë, unë kam punuar prej vitesh me vajza dhe gra të abuzuara apo përdhunuara dhe mund t’iu them se viktimat e këtyre krimeve janë shpesh të heshtura. Dhe kur gratë e dhunuara nga bashkëshorti i tyre apo meshkuj të tjerë nuk flasin, si mund ta bëjë këtë një vajzë ende minorene?”.

Duke marrë fjalën, psikologia Rrapti u përpoq të shpjegonte se çfarë tiparesh kanë viktimat e abuzimit, në të njëjtën kohë që u ndal në mendësinë e zonave rurale shqiptare, ku koncepti i pedofilisë ndryshon nga koncepti ligjor i këtij krimi.

“Në kulturën primitive shqiptare, meshkujt janë martuar me femra të këtyre moshave, martesa me të miturat ka qenë një fenomen që ka ekzistuar prej kohësh në vendin tonë. Në këtë kulturë, një femër, pasi i vjen cikli menstrual, është e pjekur seksualisht pavarësisht moshës. Prandaj, ky 80-vjeçar mund të mos e ketë pasur fare parasysh faktin e moshës dhe të pedofilisë, në momentin kur ka kryer këtë krim. Vrasësi, si një njeri instiktiv dhe primitiv, është ngacmuar nga lëvizjet e një vajze të re, një femre të re në zonën e tij. Nga ana e saj, kush e mësoi Aishen se kush ishte përdhunimi? E rritur pa nënë, me një baba të rimartuar që duhet të siguronte të ardhurat për të jetuar jashtë shtëpisë, pa shoqe dhe njerëz të tjerë në komunitetin e saj pas ardhjes nga Kukësi, çfarë mund të bënte tjetër Aishja”, deklaroi psikologia Rrapti.

I pranishëm në studio, mjeku androlog Edvin Dani, u fokusua në habinë që krijoi në publik fakti se si një 82-vjeçar mund të ishte në gjendje të kryente raporte seksuale dhe të kishte një forcë të tillë sa për të realizuar këtë vrasje makabre.

“Unë si mjek androlog, që kur u mor vesh lajmi, kam pasur telefonata me pyetje të tilla, nga kolegë e gazetarë. Përgjigja është se një mashkull 80-vjeçar mund të jetë i aftë të bëjë jetë seksuale dhe të ketë riprodhim. Nuk kemi statistika të mirëfillta në Shqipëri, por bota na jep statistika në drejtim të seksualistetit. Pa llogaritur përmirësimet që ka pasur kjo fushë në vitet e fundit, grupmosha 60-70 vjeç janë shumica seksualisht aktivë, ndërsa meshkujt e grupmoshës mbi 70, në 35% të rasteve nuk kanë nevojë për mjekim për të qenë seksualisht aktiv dhe një mashkull seksualisht aktiv, është gjithmonë në gjendje të riprodhojë. Pa dyshim, çëshja e këtij krimi makabër duhet shtruar në rregullat e shoqërisë, të cilat në fund të fundit janë ato që i mbivendosen instiktit”, deklaroi andrologu Dani.


Marshimi qytetar për Aishe Vatën

Një lule dhe një qiri, kjo është motoja e një tubimi paqësor që kanë organizuar një grup qytetarësh për t’i dhënë një funeral, asaj që ata e quajnë një viktimë të heshtjes dhe turpit makabër që ka mbërthyer shoqërinë tonë.

Deri tani kanë mbërritur një pjesë e organizatorëve të këtij akti solidariteti në përkujtim të Aishe Vatës. Në lidhje direkte, për studion e “Pasdites” u prononcua Alida Karakushi, ideatorja e këtij homazhi.

“Realisht, dhuna që ka pllakosur shoqërinë ka bërë që të ndiej urrejte të madh ndaj asaj që shohim, më ka bërë të mendoj se nuk reagojmë sa duhet. Kontribuoj duke shkruar për tema të tilla në përgjithësi, por përballë madhësisë së këtij krimi, u duk e pamjaftuesme të shprehesha vetëm për një shkrim. Më e tmerrshmja është se dëgjoj të gjykohet viktima në një nivel me kriminelin. Ajo që dua të them është se familja në Shqipëri po kalon kriza reale balancash, por jemi ne femrat që fajësojmë veten tonë, jemi ne ato që duhet t’i themi stop kësaj ndjesie dhe sigurisht, dhunës që vjen prej saj”.

Në fakt, është e rëndësishme të theksohet se ky organizim u bë vetëm përmes rrjetit social “Facebook” dhe personat që iu përgjigjën kësaj thirrje ishin jo pak. Erion Kristo ishte një prej më aktivëve në këtë organizim.

“Nuk them se ishte e lehtë, por as e vështirë. Njerëzit ishin me mendje të ngritur, qetësua e tyre u cënua, njerëzit shprehën hidhërim dhe unë gjithashtu”, deklaroi Kristo.

“Ne po i japim lamtumirë Aishes, që ishte një fëmijë i përdhunuar, i braktisur. Bëhet fjalë për një krim me 7-8 nëntekste, ajo që më tremb më shumë është heshtja e fshatit, i bëj thirrje prindërve që të jenë të vëmendeshëm, të jenë më të dashur me fëmijët, më zemërgjerë dhe mirëkuptues. Nëse nuk ndryshojnë gjërat në shoqëri, do të mblidhemi përsëri këtu, për të qarë viktima të tjera”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB