Kukan: Greva, situatë tragjike

12/10/2012 19:35

Kreu i delegacionit të Parlamentit Europian, Eduard Kukan deklaroi për Top Channel se greva e ish-të përndjekurve politikë është një stutatë shumë tragkike.

“Kur njerëzit janë kaq shumë të zhgënjyer sa ndërmarrin aktin e vetëflijimit, kjo është shumë e dimbshme”, tha Kukan, i cili deklaroi se beson që qeveria do ta zgjidhë situatën e kompensimit financiar të tyre.

Po ashtu, duke folur për 3 çështjet që Shqipëria duhet të përmbyllë deri në dhjetor, Kukan tha se pret ende më shumë rezultate. Me zotin Kukan bisedoi gazetarja jonë në Bruksel, Arta Tozaj.

TCH: Zoti Kukan, ju i keni kërkuar në mënyrë të përsëritur Shqipërisë më shumë rezultate. Po tani? A do të vijoni, pas këtij propozimi të kushtëzuar nga Komisioni?

Kukan: “Do të jem shumë i mërzitshëm por shumë konsistent. Unë kërkoj ende më shumë rezultate. Pas këtij raport-progresi mendoj se është mjaft e qartë për politikanët shqiptarë se ç‘lloj rezultatesh priten në tre fusha: Gjykata e Lartë, ligji për administratën dhe rregullorja e Parlamentit. Për këto duhen rezultate konkrete dhe përmbushje të këtyre çështjeve. Jo më masë kritike, por përmbushje. Dhe unë i marr shumë seriozisht fjalët e komisionerit Fyle kur tha se, sapo këto rezultate të mbërrijnë mbi tavolinë, ai do të jetë i gatshëm të informojë vendet anëtare dhe Këshillin për këtë. Pra, po, na duhen më shumë rezultate”.

TCH: Ndërkohë, prej tre javësh tashmë, të burgosurit politikë gjatë regjimit komunist janë në një grevë urie për të drejtat e tyre ligjore dhe dy prej tyre u dogjën në tentativë për vetëflijim. A po e ndiqni këtë situatë?

Kukan: “Po, po e ndjek këtë situatë pasi është një situatë shumë tragjike dhe kur njerëzit janë kaq shumë të zhgënjyer sa të ndërmarrin këtë formë proteste, është me të vërtetë shumë serioze dhe shumë e dhimbshme. Siç e kuptoj unë, ata po kërkojnë kompensimin për vuajtjet në burgjet e regjimit komunist. Pra, shpresoj se qeveria do ta realizojë dhe se do të përpiqet të zgjidhë situatën. Sepse kur qëniet njerëzore vuajnë dukshëm është me të vërtetë e nevojshme që situata të përballohet me gjithë seriozitetin”.

TCH: A do të reflektohet kjo situatë në rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë, për të cilën do të diskutohet gjatë javëve të ardhshme në Komitetin jashtëm?

Kukan: “Diskutimi i parë mbi projekt-rezolutën do të zhvillohet javën e ardhshme, ditën e enjte, në Komitetin e jashtëm. Sigurisht, dhe jam i sigurt, se të gjitha zhvillimet apo të gjitha ngjarjet që do të ndodhin në Shqipëri, që sot deri në muajin dhjetor, kur raporti do të miratohet në seancë plenare, do të reflektohen në raport. Sigurisht, në varësi të çfarë lloj zgjidhjeje të këtyre problemeve do të ketë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA