Profesorë dhe akademikë në një aktivitet kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë së vendit, janë ndalur edhe në çështjen e shumëpërfolur, atë të rishkrimit të disa teksteve të historisë.

Akademiku i shkencave, Ksenofon Krisafi tha se është domosdoshmëri rishikimi i teksteve, pasi në fondin e Albanologjisë kanë ardhur qindra dokumenta të reja.

“Rishkrimin e historisë u takon ta bëjnë specialistët dhe historianët dhe jo politikanët. Me këtë dua të them që ne jemi të vetëdijshëm që ka vend për ta riparë dhe rishkruar historinë. Instituti i Historisë dhe Qendrës së Studimeve Albanologjike ka sjellë këto vitet e fundit thesare të paçmuara dokumentesh nga pothuajse nga të gjitha arkivat e vendeve të Europës. Këto sjellin elemente të reja dhe doemos dhe imponojnë rishkrimin e historisë”, thotë zoti Krisafi.

Profesor Fatos Tarifa i cili e mbështet këtë tezë, kërkon që politika të qendrojë jashtë historisë, duke i lënë hapësirë të lirë ekspertëve dhe historianëve në rishkrimin e teksteve të historisë në faza të ndryshme të jetës së kombit shqiptar.

“Një nga periudhat më të rëndësishme që duhet riparë është periudha e socializmit shtetëror dhe figurave kryesore të saj. Natyrisht, shpallja e Pavarësisë si një akt i rëndësishëm, ka pak se cfarë t’i shtosh. Dihen ato ngjarje që sollën në pavarësinë e Shqipërisë, personalitetet kryesore që cuan në konkretizimin e saj, por ama periudha e Zogut, socializmit shtetëror dhe periudha e 20 viteve të fundit janë të domosdoshme të rishikohen jo vetëm nga historianët, por edhe nga socialigët në mënyrë që të vihen në vend falsifikimet që mund të jenë bërë”, thotë historiani Tarifa.

Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave ka organizuar një konferencë shkencore në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, ku akademik të ndryshëm kanë dhënë një vështrim të plotë mbi jetën e shteti shqiptar.

Top Channel