Për çfarë shpenzojnë më shumë studentët?

08/10/2012 18:20

Na ndodh pothuajse të gjithëve që vetëm disa ditë pasi në llogarinë tonë bankare ka kaluar paga mujore, gjendemi në vështirësi për të mbyllur muajin.

Por, nëse këto fenomene ndodhin me një person që ka arritur të sigurojnë një vend pune, çfarë ndodh me studentët? Si i shpenzojnë universitarët të hollat që në shumicën e rasteve dalin nga xhepat e prindërve?

Gjatë një viti shkollor, siç vëzhgoi “Pasdite” në “Top-Channel”, studentët kanë disa detyrime, siç është për shembull tarifa e shkollimit apo edhe blerja e literaturës.

Megjithatë, sipas një studimi të botuar në “The Guardian”, prioritetet e studentëve kanë ndryshuar.

Shpenzimet për libra dhe materiale të tjera shkollore janë shumë më të vogla se shumat e shpenzuara për kafe, rroba, celularë dhe aparaturat më të reja nga bota e teknologjisë.

Sipas “Save the student”, kostot e një studenti variojnë nga stili i jetesës dhe banesa që zgjedhin për t’u akomoduar.

Sigurisht që përvojat personale ndryshojnë edhe nga njëri individ tek tjetri. Për të pasur një panoramë të situatës kemi pyetur disa studente, megjithatë, duke mos pretenduar se përgjigjet e tyre janë të vlefshme për të gjithë.

“Në bazë të të ardhurave të familjes, ashtu do të jetë edhe shpenzimi që do të bësh me shoqërinë. Raporti dihet, më shumë kushton dalja dhe kafja me shoqërinë, normal që shpenzon më shumë”, shprehet një student.

Nga viti në vit, kërkesat rriten dhe studentët shpenzojnë më shumë para për më shumë qejfe, celulare, dalje, veshje apo edhe pushime në fundjavë.

“Paratë e konviktit dorëzohen që në fillim, prandaj nuk e ndien shumë, por në lidhje me paratë e përditshme është më e vështirë, ka më tepër stres dhe mbarojnë më shpejt. Ne jemi mësuar të na mbajë familja, kur të punojmë vetë do ta kuptojmë se sa e vështirë është”, thekoi një konviktore.

Duket se të rinjtë nuk arrijnë t’i menaxhojnë shumë mirë të ardhurat e tyre, pavarësisht këshillave financiare që marrin herë pas here nga prindërit.

Ndonjëherë përpiqen të ekonomisin elementët më të domosdoshëm si ushqimi apo edhe të fotokopjojnë nga librat vetëm pjesën që iu nevojitet për provim.

Por, nga viti në vit studimet dhe prioritetet e studentëve ndryshojnë, por të rinjtë arrijnë ta gjejnë gjithmonë një zgjidhje për të arritur atë që duan.

Top Channel