Rreth orës 9. 30, ish-i burgosuri politik Gjergj Ndreca është paraqitur në pavionin e djegie-plastikes, në QSUT, me rreth 40% të trupit të djegur për t’iu nënshtruar një terapie intensive nën kujdesin e mjekëve.
Mjeku reanimator Ilir Nezha thotë se duhet të presim ende 72 orë për t’u shprehur për kalimin e rrezikut, por deri më tani gjendja e tij shëndetësore është nën kontroll.
“Rreziku ishte rruga respiratore, por deri tani pacienti është i stabilizuar dhe jemi të kënaqur me gjendjen. Megjithatë, nuk mund të themi se është jashtë rrezikut për jetën pa kaluar 48 ose 72 orë. Më i djegur ai është në fytyrë, në trup dhe në anësitë e sipërme, që do kërkojnë dhe më shumë trajtim. Trupi është në gradën e dytë dhe mund të kemi një reduktim nesër ose pasnesër”, deklaroi Nezha.
Bashkëshortja: Jetojmë në mjerim
Ndërkohë, bashkëshortja e Gjergj Ndrecës thotë se e mori vesh lajmin nëpërmjet televizioneve dhe u ndje shumë keq për këtë akt të kryer.
“Më thanë shoqet të shihja në televizor atë çfarë po ndodhte. Shkova në ambientet e grevës dhe shokët më thanë që Gjergji kishte shkuar në spital. Hyra në spital, e pashë Gjergjin dhe gjendja e tij nuk duket shumë e mirë”, thotë bashkëshortja.
Sipas saj, akti i Gjergjit erdhi si pasojë e problemeve ekonomike, gjendjen në të cilën ata jetojnë.
“Gjergji dhe shokët e tij janë të papunë, jetojnë në shtëpi me qira, kanë fëmijë të pashkolluar. Gjergji ka katër fëmijë, të cilët e pritën shumë keq lajmin, ndërsa jetojmë në një shtëpi me qira në kushte të vështira”, thotë bashkëshortja e Gjergj Ndrecës.
Zonja Ndreca thotë gjithashtu se bashkëshorti i saj ka hyrë në këtë grevë vetëm për motive ekonomike dhe ai bashkë me shokët e tij kërkojnë dëmshpërblim për vitet e burgut, para të cilat u takojnë dhe për të cilat kanë marrë premtimet e Qeverisë.
Gjergj Ndreca, rebel i përjetshëm
Ish-i burgosuri politik Gjergj Ndreca është aktualisht 51 vjeç dhe është dënuar në vitin 1984 me 15 vjet burg për tentativë arratisjeje.
Ai është nga Mirdita dhe siç tregojnë bashkëvuajtësit e tij ishte një kundërshtar i regjimit dhe për një jetë më të mirë kishte vendosur të largohej. Tentoi të arratisej në ish-Jugosllavi, por u kap. Pas shumë muajsh në hetuesi dhe në tortura ai u dënua me 15 vjet burg nga të cilat ka vuajtur vetëm 6.
Dënimin e ka kryer në burgjet më të egra të kohës së komunizmit në Burrel, në Spaç dhe në fund në Qafe Bari, ku dhe u lirua me rënien e komunizmit. Gjergj Ndreca pas daljes nga burgu krijoi familje dhe ka katër fëmijë. Ai ka marrë pjesë në shumë protesta të ish-të përndjekurve politikë që kanë kërkuar të drejtat e tyre.
Top Channel