Sërish banorët e fshatrave të Kukësit janë hedhur të shtunën në protestë pasi kompania CEZ iu ka shkëputur energjinë elektrike.
Banorët kanë tentuar të pushtojnë nënstacionin elektrik dhe për të shmangur incidentet CEZ ka stakuar energjinë.
Banorët shkuan atje për të rilidhur energjinë. Ata pretendojnë se nuk kanë para për të shlyer detyrimet ndaj CEZ, sepse shumica janë me asistencë.
Ata shtojnë se nuk janë dëmshpërblyer ende për dëmet nga përmbytjet e dimrit, ndërsa theksojnë se tokat bujqësore nuk kanë dhënë prodhim për të nxjerrë fitime.
Nga ana e saj, CEZ Shpërndarje thekson se nuk ka lidhje me këto probleme të banorëve, por kërkon shlyerjen e debiteve.
Policia mbërriti pranë nënstacionit për të shmangur incidentet, pasi rreth orës 19.30 energjia elektrike në Kukës është ndërprerë.
Një ditë më parë banorët e këtyre fshatrave bllokuan për katër ore edhe autostradën dhe për këtë policia ka shoqëruar sot 6 persona.
Ata akuzohen për shkatërrim të pronës, pasi hynë me forcë në ambjentet e brendshme të nënstacionit elektrik, manifestim të paligjshëm dhe kundërshtim të forcave të rendit.
Lezhë, bllokohet superstrada
Banorë të komunës Kolsh në Lezhë nisën të shtunën protestat për mungesën e energjisë elektrike. Kompania CEZ ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike për këtë fshat.
Në krye të protestës ishte kryetari i kësaj komune, i cili deklaroi se kompania CEZ duhet të marrë masa dhe të lidhë energjine tek të gjitha familjet që e paguajnë, si dhe të bëjë ndërprerje individuale për familjet që nuk e paguajnë.
Banorët e fshatrave të kësaj komune në fillim protestuan para zyrave të filialit të kompanisë CEZ e më pas marshuan drejt superstradës Lezhë-Shkodër, duke e bllokuar atë.
Forcat e policisë kanë ndërhyrë duke hapur kalimin e mjeteve, ndërsa turma është shpërndarë në mënyrë paqësore në fund. Por banorët premtuan se do të rikthehen sërish në protestë dhe në bllokimin e rrugës nëse energjia elektrike nuk rikthehet.
Top Channel