Pritej që Prokuroria e Krimeve të Rënda të thoshte fjalën e saj të fundit për dënimet që ajo kërkon për të tre ish-zyrtarët e shërbimit inteligjent Ilir Kumbaro, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi, lidhur me akuzën e torturimit dhe zhdukjes së Remzi Hoxhës.

Por, për shkak të ngarkesës së punës së prokurores së çështjes Elisabeta Imeraj, gjykata njoftoi shtyrjen e procesit. Pikërisht në këtë moment vëllai i madh i biznesmenit të zhdukur Remzi Hoxha, Hetem Hoxha, edhe pse përpara peshores së drejtësisë, u lut për një tjetër lloj drejtësie.

“Po kërkojmë ndihmën e Krijuesit, njerëzit dhe kriminelët të dënohen. Të gjejnë eshtrat, të ketë një varr, këta fëmijë të dijnë një të vërtetë. Të na jepet ajo c’ka na takon. Boll kemi duruar për vite. Nuk jemi njerëz të rrugës! Presim një përgjigje prej këtij shteti”, thotë Hetemi, vëllai i Remzi Hoxhës.

“Këtu shihet që drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Ne na vonohet drejtësia prej 17 vitesh dhe faktikisht është drejtësi e mohuar”, thotë Adriani, djali i viktimës Remzi Hoxha.

Ndërkohë për një tjetër të akuzuar të kësaj dosjeje, Budjon Meçen, një trupë tjetër gjyqësore e kryesuar nga Sandër Simoni ka vendosur pezullimin e gjykimit  për të, deri sa ai të jetë në gjendje për të qenë i përgjegjshëm para gjykatës.

I akuzuari kryesor për këtë çështje Ilir Kumbaro vazhdon të jetë në kërkim pasi për vite me radhë po i reziston ekstradimit nga Britania e Madhe ku ndodhet.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta