Marrëveshja për Biosferën

03/10/2012 00:00

Shqipëria dhe Maqedonia nënshkruan deklaratën përfundimtare për krijimin e rezervës ndërkufitare të biosferes Ohër-Prespë.

Ceremonia është zhvilluar në Gorricë të Vogël dhe iniciativa e ka zanafillën në një projekt të përbashkët për mbrojtjen e liqenit të Ohrit, i cili çoi në një marrëveshje dypalëshe midis Shqipërisë e Maqedonisë.

“Mendoj që kjo vlerë e jashtëzakonshme, që na e ka bërë dhuratë natyra duhet patjetër që të ketë përkujdesjen maksimale nga institucionet shtetërore dhe ato lokale, po në mënyrë të veçantë nga banorët e Prespës. Qeveria shqiptare e konsideron basenin e Ohrit dhe të Prespës, zonë me rëndësi të madhe natyrore me interes kombëtar dhe ndërkombëtar, në të cilin dy vendet tona kanë zhvilluar për një kohë të gjatë bashkëpunim miqësor dhe të frytshëm në mbrojtjen e menaxhimin e vlerave natyrore, biodiversitetit dhe të aspekteve të tjera natyrore”, tha ministri i Mjedisit Fatmir Mediu.

Per palen e maqedonise ne nenshkrim ishte ministri, Abdilaqim Ademi.

“Marrëveshja do të zbatohet nga Komisioni i Përbashkët për menaxhimin e pellgut, i cili u bëri thirrje dhe kryetarëve të Komunave dhe udhëheqësve të parqeve nacionale me qëllim të nxisin gatishmërinë për një bashkëpunim ndërkufitare dhe të sigurojë mbështetjen e nevojshme midis subjekteve lokale dhe të të gjitha palëve të interesuara ne lidhje me njohjen e rezervatit biosferik nga programi i UNESCO-s”, tha Ademi.

Nënshkrimi i deklaratës është fillimi i procesit të nominimit që do të përfshijë një informim të gjerë dhe një fushatë me pjesëmarrje për të siguruar mbështetjen e të gjitha subjekteve, organizatave dhe banorëve që kanë lidhje. Pjesa maqedonase e liqenit të Prespës së Madhe, si dhe pjesa greke e Prespës së Madhe dhe Prespës së Vogël janë të njohura si ligatina të rëndësishme ndërkombëtare në bazë të Konventës Ramsar për Ligatinat Ndërkombëtare. Një marrëveshje trepalëshe është nënshkruar për të dy liqenet e Prespës nga të tre vendet breg liqenore për Parkun e Prespës.

Top Channel