Tentuan të korruptojnë policinë për të shmangur ndëshkimin, në pranga dy shtetas Disa kanë mashtruar duke u prezantuar si prokurorë, policë, biznesmenë, kancelarë e oficerë. Disa edhe si fqinjë gjyqtarësh, por asnjëri prej tyre deri më tani nuk kishte guxuar të prezantohej si kushëriri i prokurores së përgjithshme Ina Rama.
Bajram Hoxha, 52 vjeç nga Berati, me arsim të mesëm, kishte arritur të mashtronte bashkëshorten e një të dënuari duke i marrë asaj 25 mijë euro përballë premtimit se do ta lironte nga burgu brenda tre javëve.
52-vjeçari ishte prezantuar si djali i tezes së prokurores së përgjithshme Ina Rama dhe u kishte thënë viktimave të tij se ishte i punësuar tek sektori i përgjimeve tek Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe për të plotësuar skenarin e tij mbante me vete një pistoletë, një radio policie, pranga dhe një dosje.
Sipas prokurores së dosjes, Daniela Sulaj, e cila kërkoi për 52-vjeçarin katër vjet burg, i pandehuri pasi ka pirë kafe dhe ka marrë shumën e konsiderueshme ka premtuar se do ta lironte nga burgu shtetasin Gëzim Tafaj.
Prokurorja tha në gjykatë se të mashtruarit, pasi kanë pritur familjarin e tyre të dilte nga qelia, gjë që nuk ka ndodhur, kanë bërë menjëherë kallëzimin përkatës, duke rezultuar pas hetimeve disa mujore se i dyshuari s’kishte asnjë njohje me shefen e Akuzës.
Në përfundim të proçesit gjyqtarja Regleta Panajoti vendosi ta dënojë për mashtrim Bajram Hoxhën me 4 vjet burg dhe t’i ngarkojë atij shpenzimet proçeduriale të harxhuara nga shteti për gjykimin.
Top Channel