FMN: Rritja ekonomike, minimale

02/10/2012 00:00

Shefi i misionit të FMN-së në Tiranë, Nadim Ilahi deklaroi se kriza e
Eurozonës e ka rritur presionin mbi ekonominë shqiptare, duke
ngadalësuar rritjen ekonomike në nivele më minimale.

“Ne kemi parë se që nga fillimi i krizës ekonomike në vitin 2008 ekonomia shqiptare ka ecur relativisht më mirë se vendet e tjera të rajonit. Por vazhdimi i krizës dhe destabiliteti në vendet e tjera po vazhdon të transmetojë goditje dhe rritja ekonomike po ngadalësohet. FMN vlerëson se rritja do të ngadalësohet në 0.5 për qind këtë vit dhe për vitin tjetër vlerësimi është 1.3 për qind”, thotë Ilahi.

“Mendojmë që do të jetë një rritje ekonomike rreth 3 për qind, e cila do të bazohet në një kërkesë të brendshme modeste dhe në një rritje më evidente të eksporteve të ekonomisë shqiptare”, thotë ministri i Financave, Ridvan Bode.

FMN vlerëson se ekonomia mbetet në rrezikun e borxhit të lartë publik, që do të qëndrojë në kufirin maksimal 60 për qind edhe gjatë viteve të ardhshme. Ndaj i kërkoi qeverisë të përdorë paratë e privatizimeve për të ulur jo vetëm borxhin zyrtar, por edhe atë të fshehur.

“Duke parë nivelin e lartë të borxhit publik, ne mendojmë se pjesa më e madhe e të ardhurave nga privatizimet duhet të shkojë për reduktimin e borxhit dhe detyrimet e prapambetura të qeverisë që duhet të pastrohen sa më shpejt”, tha Ilahi.

Sipas kreut të FMN-së, shlyerja e faturave të prapambetura përveçse do t’i jepte sadopak frymëmarrje ekonomisë do të zbuste edhe një rrezik tjetër, që sipas tij është bërë shumë serioz vitin e fundit.  

“Kemi diskutuar me Banken e Shqipërisë dhe shumë banka private çështjen e rritjes së kredive të këqija. Në vështrimin tonë kjo çështje është bërë akute, sidomos gjatë vitit të fundit, për shkak të ngadalësimit të rritjes ekonomike dhe pagesave të prapambetura të qeverisë ndaj privatëve që kanë rritur kreditë e këqija në banka“, tha përfaqësuesi i FMN-së.

Ndonëse sheh një situatë më pak pesimiste se FMN, edhe Qeveria tashmë i ka varuar shpresat tek suksesi i privatizimit të ‘Albpetrol’, si varka e shpëtimit për të nxjerrë financat dhe ekonominë nga kriza.

“Mendohet që përmes axhendës së privatizimeve, suksesit në këtë axhendë, është synuar të zgjidhen problemet që kanë të bëjnë me disa prapambetje në likujdimin e detyrimeve të buxhetit ndaj disa kontratave, sigurisht do të japë një impakt në uljen e mëtejshme të presionit mbi borxhin publik, pra një zbutje të borxhit publik, ulje të tij, sigurisht do të përdoret për të nxitur ekonominë shqiptare përmes një axhende investimesh prodhuese dhe mbështetje të prodhimit”, tha Bode.

Misioni i FMN ishte për disa javë në Tiranë për të mbikëqyrur situatën financiare të Qeverisë dhe gjendjen e ekonomisë shqiptare.

Top Channel