“Rroftë Nexhmija, poshtë Kadare!”

30/09/2012 00:00

Ilir Yzeiri – Ka disa kohë që mediat e Tiranës kanë vënë në shënjestër marrëdhënien e Kadaresë me Nexhmije Hoxhën, të venë e diktatorit më gjakatar të Europës Lindore.

E harruar diku në periferi të Tiranës, befas, e veja e diktatorit është bërë një star i medias dhe që andej nga periferia e ish-pularisë shtetërore i dërgon një gazete në Tiranë korrespondencën me shkrimtarin Kadare. Gjithë kjo telenovelë nisi muaj më parë, përkatësisht atëherë kur shkrimtari ynë më i madh dhe shqiptari më i shquar i fushës së letrave dhe kulturës në përgjithësi, hodhi në gjyq të venë e diktatorit më të egër të Europës, N. Hoxhën dhe i kërkonte asaj që t’i kthente dorëshkrimin e romanit “Dimri i madh”. Kaq u desh dhe media provinciale e lloj-lloj gazetarësh mediokër nisën të thurin telenovelën e pështirë të verës. Befas, Nexhmije Hoxha nuk ishte më e veja e diktatorit më të egër të Europës, por u bë thjesht Nexhmije Hoxha, ndërsa Kadare nuk ishte më një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të botës dhe shqiptari më i shquar i të gjitha kohërave, por një i akuzuar se kishte flirtuar me diktaturën, një i akuzuar se kishte bashkëpunuar me të. Pasi e vendosën në këtë qoshe të vetëdijes së tyre të shpëlarë, u sulën mbi të lloj-lloj mediokrish, duke sjellë dëshmi se Kadare është mbrojtur në atë kohë nga Enver Hoxha, se të tjerë persekutoheshin duke u transferuar nga Tirana. “O tempora, o more” do të thoshte latini. Në fakt, armiqtë më të mëdhenj të Kadaresë si dje ashtu edhe sot kanë qenë dhe janë mediokrit, skribët, njerëzit që, pasi janë goditur në kokë nga harmonia e germave dhe shkronjëzimit, si dhe pasi kanë provuar shijen e leximit, janë hedhur mbi letra të bardha e kanë nisur të shkruajnë duke nxjerrë nga trutë e sëmurë dhe mendja e tharë lloj—lloj paçavuresh që ata pretendonin se ishin vepra letrare. Kjo skotë e pështirë përbënte shumicën në diktaturë dhe armata e poetëve apo shkrimtarëve të tillë ishte aq e madhe sa kur e kujton sot, të merr të qarët. Ndërkaq, vetë Kadare ka thënë diku se mediokrit janë një pasuri e madhe se pa ta, do të ishte e pamundur të bëhej diferenca e artit të madh, pra, pa ekzistencën e tyre, do të ishte e pamundur që të shijoheshin veprat e vërteta artistike. Ndërkaq, shkrimtari i madh ishte për ta Djalli dhe Qoftë largu, ishte përbindëshi që duhej sulmuar e shkatërruar. Ismail Kadare në fakt ishte një përbindësh për nga talenti dhe gjenia e tij. Aq përbindësh ishte sa, megjithëse jetoi në një nga diktaturat më të egra arriti jo vetëm të mbijetojë, por edhe ta sfidojë atë. Diktatura më e egër kishte frikë nga ai. Kishte frikë, sepse magjia që ai prodhonte shoqërohej gati edhe me një besëtytni, se po të prekej ai, ndoshta edhe vetë diktatura mund të shkërmoqej. Pikërisht në diktaturë ai krijoi korpusin e veprave që sot janë pasuri e njerëzimit. Mirëpo sot gjërat kanë ndryshuar dhe për ironi të fatit, mediokrit dhe skribët janë bërë zotër të mediatizimit publik dhe e veja e diktatorit më të egër të Europës është ende gjallë dhe të dyja palët bashkë janë më të lirë që të gjuajnë me gurë mbi shtatoren e shkrimtarit të madh. E veja e diktatorit më të egër të Europës kërkon të ndotë anën njerëzore të shkrimtarit të madh dhe nxjerr nga sirtarët e ndryshkur të memories dhe të arkivit letra që Kadare i ka shkruar asaj që të na bëjë të besojmë se midis diktaturës dhe Kadaresë ka pasur gjithnjë një mirëkuptim, madje edhe dashuri. Ndërkaq po të vëresh veprën e Kadaresë do të shohësh se është krejtësisht e kundërta. Deri edhe Arshi Pipa pat shkruar se në romanin “Kronikë në gur”, pederasti që bredh rrugëve të Gjirokastrës me flokët e lyer me brilantinë është Enver Hoxha. Natyrisht kjo nuk është e vërtetë, por një gjë tjetër është krejtësisht e vërtetë. Si mund të flirtonte Kadare me diktaturën dhe të shkruante fjala vjen vetëm një libër si “Kronikë në gur”? Me këtë vepër ai jo vetëm shkërmoqte dogmën e realizmit socialist, por, për nga natyralizmi e cenet njerëzore, kjo vepër ia kalonte edhe kryeveprave të letërsisë absurde dhe atyre deheroike. Ndërkaq, e veja e diktatorit më gjakatar të Europës Lindore vijon të shfaqet si një star kinemaje dhe pushton faqet e gazetave me telenovelën e pështirë të flirtit të saj me Kadarenë. Ndërkaq, pikërisht këto kohë, në një të përditshme tjetër të Tiranës, botoi kujtimet e tij ish-sekretari i Enver Hoxhës Vaid Lama. Ishte një tekst tronditës. Aty kuptoje edhe një herë se Enver Hoxha ishte një kriminel në shpirt, një egocentrist i pështirë, një paranojak që nuk i donte njerëzit. Po nga këto rrëfime marrim vesh se njeriu që mbante çelësat e sekreteve të Enver Hoxhës ishte Nexhmija. Vetëm ajo mund të kontrollonte e të ruante planet makabre, “orientimet” e diktatorit më të egër të Europës. Dëshmitari i vetëm i mbetur gjallë, që tregon se si reagoi Enver Hoxha pas botimit të poemës “Në mesditë Byroja Politike u mblodh” është ish-sekretari i tij, Vaid Lama. Ai kujton se: Në vitin 1975 Shtëpia Botuese i kishte dërguar Ramiz Alisë, Sekretar i Komitetit Qendror të Partisë, që mbulonte ideologjinë dhe kulturën, një poemë të shkrimtarit Ismail Kadare. Atij i kërkohej mendim nëse mund të botohej ai krijim, që “mbante erë baruti”. Poemës, më pas, si pa dashur, iu ngjit nofka “Pashallarët e Kuq”, megjithëse nuk ishte ky titulli i saj. Shkrimtari shkruante me urrejtje të madhe kundër burokratizmit dhe burokratëve kriminelë me duar të përgjakura”.

Ramiz Alia për të mos mbajtur vetë përgjegjësinë për sa i kërkohej, sikurse e kishte zakon, ia kishte dhënë atë zotit Hoxha për ta lexuar.

Në momentin kur sapo e kishte lexuar poemën, unë u futa në zyrën e Hoxhës dhe vura re, se ai nuk po përqendrohej dot për të më dëgjuar lidhur me çështjen për të cilën shkova te ai. Ishte tejet i zemëruar. Zakonisht, kur futeshim në zyrën e tij pa na thirrur ai, na dëgjonte e pastaj mund të na jepte ndonjë porosi edhe tej atyre që kishim biseduar. Kësaj here, pa mundur të më dëgjonte përse i kisha vajtur në zyrë, më ndërpreu fjalën: – Merri këto shënime dhe jepja Nexhmijes për t’i sistemuar diku në arkiv. Janë disa gjykime të miat për Ismail Kadarenë, që u dashka ta mbash nga xhaketa për të mos u gremisur në ato humnerat e fantazisë së tij të sëmurë. Ai shkruan për “Pashallarë të Kuq”, po cilët qenkan këta? Anëtarët e Byrosë Politike?! Sigurisht ai kështu mendon. Por ajo mendja e tij, e pleksur me kozmopolitizëm, më pas do t’i pjellë që të shkruajë edhe për “Sulltanin e Kuq”! Hajde shkrimtar, hajde! Ai është një armik i rrezikshëm i partisë. E kemi përkëdhelur shumë, por tani me këto “Pashallarët e Kuq” durimi ynë është sosur, ai do të japë llogari. Poema e tij është akuzë e rëndë për udhëheqjen e partisë, ajo është një trakt i zi, që bën thirrje për kryengritje, është një vepër makabre.

Çuditem edhe me Ramizin si i kalon kaq lehtë këto gjëra dhe m’i sjell mua në tryezë. Ç’kërkon ai, që unë të aprovoj botimin e “Pashallarëve të Kuq”?! Apo të urdhëroj ndëshkimin e Kadaresë? Tani ai nuk shprehet as për njërën, as për tjetrën, por kur ta thërras unë dhe t’i shfaq mosaprovimin kategorik për botimin, ai, si ngaherë, do të thotë: – Dakord, shoku Enver, kështu mendova dhe unë, prandaj ua solla Juve!-.

Po fliste tepër i nervozuar. Ishte nxirë në fytyrë. Rrallë herë më kishte takuar ta shikoja në atë gjendje aq të shqetësuar. Më tepër më çuditi fakti që ai, në bisedë me mua, po akuzonte keq një anëtar të Byrosë, gjë që nuk e kishte bërë zakon asnjëherë më parë.

Nuk dyshova që Ramizin mund ta gjente ndonjë e keqe, pasi ai, nëpërmjet përkrahjes së vazhdueshme të zonjës Hoxha, ishte mësuar t’i kapërcente hendeqet gjatë rrugës dhe të hidhte të tjerët brenda. Më erdhi keq për shkrimtarin me zë, që kësaj here kujtova se me të vërtetë do ta pësonte. Lart e poshtë thuhej gojë më gojë që arrestimi i Kadaresë ishte çështje ditësh, se atij i ishte përgatitur akuza. Madje kishte edhe nga ata që hamendësonin se Prokurorit të Përgjithshëm i paskësh vajtur porosia për lëshimin e urdhrit të arrestit, etj.

Për fat të mirë, koha tregoi që Enveri ishte tërhequr më pas nga mendimi ogurzi. Përse u tërhoq Enveri? Kush e mbrojti Kadarenë nga arrestimi? Disa thoshin e mbrojti Nexhmija, ca të tjerë Ramizi. Në të vërtetë, jam i bindur, që nuk e ka mbrojtur asnjëri prej tyre, sepse këta shtireshin sikur e donin, por e urrenin. Shkrimtarin e mbrojti talenti dhe emri i tij i njohur jo vetëm brenda Shqipërisë. Nuk guxuan ta burgosnin, se do të ndesheshin me mosaprovimin e opinionit shoqëror. Asnjeri, as brenda as jashtë Shqipërisë, nuk do ta miratonte arrestimin e tij në një kohë kur ishin pushkatuar e burgosur shumë intelektualë.

Në qoftë se për persekutimin e të tjerëve diktatura nuk e kishte përfillur opinionin, ndryshe ishte puna tani për mjeshtrin e letrave. Kishin ardhur kohë të tilla kur në kupolën komuniste po dukeshin të krisura të thella dhe regjimi tiranik ishte i pafuqishëm për të përbaltur personalitetin e Kadaresë. (Vahid Lama, Vreri i Enverit pasi lexoi “Pashallarët e kuq”: Durimi mori fund, Kadare, në burg, Panorama, 27 gusht, 2012).

E solla këtë citim të gjatë të ish-sekretarit të Enver Hoxhës për dy arsye. E para kjo është dëshmia autentike e njeriut që ka punuar me Enver Hoxhën dhe që ka marrë i pari përshtypjet e Enver Hoxhës për Kadarenë. E dyta telenovela e dhurimit apo e rrëmbimit të dorëshkrimit mund të jetë objekt për revistat gossip, por nuk i shton dhe nuk i heq asgjë faktit se midis Kadaresë dhe diktaturës nuk kishte asnjë lloj lidhjeje. Mirëpo e veja e diktatorit më mizor të Europës Lindore ka të drejtë të sillet si një star kinemaje dhe të përbaltë me cinizëm emrin e Kadaresë. Siç thoshte me të drejtë A. Ndreca në një shkrim të para disa kohëve, Nexhmije Hoxha dhe Sali Berisha po e mbajnë peng këtë vend. Dënimi i krimeve të komunizmit dhe hapja urgjentisht e dosjeve të diktaturës do të kishte sjellë sot një klimë tjetër. Arkivat personale të së vesë të ish-diktatorit më të egër të Lindjes sot do të duhej të ishin në dorë të prokurorisë, për të parë se si vepronte zembereku i diktaturës. Ish-sekretari i Enver Hoxhës deklaronte në kujtimet e tij se Enver Hoxha e kishte shpallur që Nexhmija është kasaforta ime dhe e Komitetit Qendror. Mirëpo kjo kasafortë rri ende në periferi të tranzicionit dhe gjen kurajë që të trembë, të përbaltë dhe të ndotë jetën dhe figurën e njeriut më të famshëm të kohëve të reja, gjeniut të letrave botërore e shqiptare, Ismail Kadare. Si të mos mjaftonte kjo, shtypi na njofton herë pas here për një institut që do të zbulojë krimet e komunizmit dhe një televizion tjetër na kujton herë pas here një foto të Sali Berishës në varkë, në Drilon ku ai vozit me familjen e diktatorit. Ndaj e veja e diktatorit më gjakatar të Europës Lindore dhe llumi i mediokërve që popullojnë këtë vend, kanë të drejtë të gjuajnë me gurë mbi shtatoren më të lartë të kulturës shqiptare. Është e vërtetë se ne në shpirt jemi sado kudo një popull skllav.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel