Pas më shumë se 10 vjet luftë, mbërrijnë të reja për ushtaret femra. Duke filluar nga javët e ardhshme, më në fund ushtaret do të kenë në dispozicion një xhup anti-plumb sipas formave të tyre trupore dhe jo xhupin e zakonshëm ‘unisex’, i sheshtë dhe i projektuar vetëm për ushtarët meshkuj.
Të gjendura në vijën e parë në Irak dhe Afganistan, për shumë ushtare femra xhupi i zakonshëm anti-plumb ka qenë shpesh herë pengesë për to për shkak të peshës dhe përmasave.
Në veçanti xhupi i ka penguar ato për të hyrë apo për të dalë me shpejtësi nga automjetet e blinduara, për të zënë pozicione luftarake apo për të ngritur armën.
“Më pengonte në pjesët anësore të trupit dhe kufizonte lëvizjet e mia”, ka treguar për “New York Times” rreshterja Bobbie Crawford, që është e gjatë rreth 1 metër e 70 dhe peshon rreth 45 kilogramë.
Rreshterja Crawford, që ka qenë në Afganistan në vitin 2010 me njësinë Combat Team, do të kthehet në frontin e luftës në muajt e ardhshme dhe do të ketë si detyrë testimin e xhupit të ri.
Pavarësisht se femrat nuk përfshihen në vijën e parë të luftës, si në konfliktet në Afganistan dhe Irak, ato janë ndodhur shpesh herë të përfshira në konflikte të armatosura.
Sipas të dhënave të publikuara nga Pentagoni, 81 prej tyre kanë humbur jetën në përplasje të armatosura në të dyja luftërat, të cilave me zor po iu vjen fundi.
Top Channel