Luajtja e Himnit të Flamurit në ditën e hapjes nga Universiteti i Tetovës i ka dhënë shkas Prokurorisë Publike Maqedonas të nisë hartimin e akuzave për shkelje të kushtetutës ndaj këtij institucioni.
Kryeprokurori maqedonas Lubomir Shvrgovski ka njoftuar se do të ngrihet padi penale kundër Universitetit Shtetëror të Tetovës për shkak të intonimit të himnit kombëtar shqiptar në ditën e parë të vitit të ri akademik.
Shvrgovski tha se akuza që do të ngrihet kundër USHT-së bazohet në vepër penale për nxitje të urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare. Intonimin e himnit kombëtar shqiptar me rastin e fillimit të vitit të ri akademik në USHT e ka dënuar edhe Ministri i Arsimit Pançe Kralev, i cili kërkoi që institucionet e shtetërore të respektojnë kushtetutën e vendit, dhe himnin shtetëror të Maqedonisë.
Por, zëvendësministri i Arsimit nga radhët e BDI-së, Safet Neziri deklaroi se nuk duhet problematizuar rasti për shkak se bëhet fjalë për himnin e flamurit kombëtar shqiptar dhe jo për himn të ndonjë shteti tjetër.
Nga Universiteti Shtetëror i Tetovës askush nuk i ka komentuar paralajmërimet e Prokurorisë Publike për të paditur penalisht këtë institucion arsimor të shqiptarëve të Maqedonisë.
Top Channel