Gjykata e Shkodrës liroi për mungesë provash një prej të dyshuarve si bashkëautor i vrasjes së shtetasve Frederik e Jurgen Marku, në muajin gusht.
Pavarësisht arrestimit të bujshëm të Leonard Nikës, gjykata arriti në përfundimin se asnjë prej fakteve të paraqitura nga prokuroria nuk inkriminonin qartë të dyshuarin dhe si rrjedhojë vendosi që atij t’i rikthehet liria në mënyrë të menjëhershme.
Frederik dhe Jurgen Marku, nga Thethi, gjetën vdekjen pasditen e 28 gushtit, kur ndaj tyre u qëllua me breshëri në afërsi të maternitetit të Shkodrës.
Në çastin e vrasjes, policia u shpreh se shkak i kësaj ngjarjeje ishte bërë sherri i një nate më parë në fshatin Theth të Dukagjinit, ku viktima, i cili është dhëndër në këtë fshat dhe kishte nisur ndërtimin e një hoteli në zonën turistike, pati një konflikt me pjestar të familjes Nika.
Konflikti ka qënë një grindje e çastit e djalit të viktimës me një shokun e tij. Frederik Marku kishte ndërhyrë dhe kishte qëlluar me qytë pistolete të riun që po i dhunonte të birin dhe pas kësaj palët janë shoqëruar në polici, ku kanë qëndruar gjithë natës, por një ditë pasi u liruan, ne 28 gusht, ndodhi vrasja në Shkodër.
Pas atentatit vdekjeprurës, persona të paidentifikuar dogjën hotelin e viktimave Marku në fshatin turistik.
Top Channel