Ka një joint venture politikë-krim; ka dhe një polici të terrorizuar

16/09/2012 00:00

Mustafa Nano –  Në të përditshmen “shqiptarja.com”, një ditë pasi në Shijak u qëllua për vdekje shefi i Komisariatit Adem Tahiraj, ish një intervistë e Pjerin Ndreut, në të cilin ai fliste edhe si socialist, edhe si specialist.

Dhe si specialist, Ndreu nuk i kursente fjalët e mira për komisarin e Shijakut. Por nuk ish kjo ajo që binte në sy. Ai foli në këtë intervistë dhe për një takim që kish pasur me Adem Tahirajn disa ditë para se ta vrisnin. Dhe në atë takim, gjithnjë sipas Ndreut, Tahiraj, një polic profesionist (nga biografia që i është bërë më pas është marrë vesh se e mbante prej vitesh të veshur atë uniformë, se ishte me arsim policor, se e bënte këtë punë qysh prej vitit 1986 dhe se u ka rezistuar të gjitha furtunave që provokohen këtejpari prej ndërrimit të pushtetit), i kish pohuar në një moment konfidencialiteti, se punët e policisë i kish marrë lumi.

Nuk është nevoja që këtë të na e thotë Pjerin Ndreu. Nuk është nevoja as të na e thotë ndonjë polic, apo komisar policie. Ajo që Ndreu ka dëgjuar nga Tahiraj është një gjë që duket sheshit. Punët e policisë i ka marrë lumi vërtet. Ka njerëz që fajin e kërkojnë tek Flamur Noka, për të cilin vëzhgimet satirike të Mero Bazes kanë bërë të vetën, d.m.th. kanë bërë që të tjerët ta shohin si idiot e gjysmë. Kështu e shihte dhe Anila Basha në një shkrim të sajin në “shqiptarja.com”, ku Nokën e nxirrte edhe fajtor për këto që po ndodhin, por dhe viktimë për faktin që është ai që është. Ja ç’thotë Basha në atë shkrim në një përpjekje për t’i bërë portretin ministrit: “Një ish-student që e filloi Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1991 dhe që i përfundoi studimet e larta me gjithë specializim në vitin 2007, pra plot pas 16 vetësh, nuk mund t’ia bëjë rrupsup krimit në Shqipëri. …. E pra, këtë lloj ministri e këtë lloj drejtimi të Ministrisë së Brendshme pranuan gjithë shqiptarët. Të cilët …tregonin barsoleta për figurën e Flamur Nokës. Po Flamur Noka, është heroi i luftës së heshtur me të gjithë ata që e anatemuan, apo viktima e radhës e një regjimi prej të cilit krimi nuk ka më frikë? Më duket më shumë si një viktimë, që u gjend në vendin e gabuar, në momentin e gabuar, i paaftë të marrë vendime e për më tepër, i paaftë të kundërshtojë ndokënd. I paaftë të marrë stilolapsin dhe të firmosë shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, apo të nëndrejtorit, apo t’i thotë Berishës se pas kaq rastesh vrasjeje me plan e pa plan, kjo polici ka dështuar. I paaftë t’i thotë Berishës se shteti dhe policia nuk mbahen me militantë partiakë, por me njerëz profesionistë që sot enden rrugëve pa një vend pune”.

Të rrimë shtrembër e të flasim drejt, pjesa ku Noka del si viktimë është më e kuptueshme, se sa pjesa ku Noka del fajtor. Kjo situatë e rendit publik ekziston qysh përpara se Nokës t’i shkonte në mendje se mund të bëhej ministër. Policia ka kohë që i është dorëzuar një shkrehjeje totale, ka kohë që është një polici që nuk funksionon. Është e pranishme në territor, sidomos në qytete, por të ngjan se ka një rregull absurd që lidh në përpjesëtim të zhdrejtë këtë prani me eficencën e punës së policisë, d.m.th. sa më e pranishme është në terren e në territor, aq më e paaftë është të kryejë punët që duhet të kryejë.

A mund të kesh besim te kjo polici? Personalisht, nuk kam besim. Kur i shoh në rrugë, policët nuk më ofrojnë siguri. Nuk i shoh si të mitë. Ka diçka prej kaçaku në pamjen e tyre, në mënyrën se si të presin, në mënyrën se si qëndrojnë, se si ecin, se si komunikojnë me sho-shoqin, apo me qytetarët që rëndom ata nuk i shohin si njerëz që kanë nevojë për shërbimin e tyre, por si viktima që duhen keqtrajtuar, që duhen nëpërkëmbur, që duhen përbuzur, që duhen gjobitur.

I keni parë policët e trafikut se si rravgojnë nëpër qytet, apo se si të zënë pusi, me blloqet e gjobave në duar? Është pamja më e shëmtuar që mund të të shohin sytë. Në asnjë vend të botës nuk mund të ndodhë një gjë e tillë, në asnjë vend të botës nuk mund të ndodhë që policët e qarkullimit të dalin në punë me detyrën për të gjobitur. Është e çuditshme se si askush nga eprorët nuk po merr vendimin që t’i ndalojë ata policë të vinë vërdallë me ato blloqe gjobash (i mbajnë dhe të hapur, te fleta e radhës që duhet mbushur). Apo duhet të jetë e vërtetë ajo që thuhet, se “kanë marrë urdhrin e kundërt, d.m.th. të vënë sa më shumë gjoba, pasi kjo fushatë e përjetshme gjobash është një nga burimet që mbushin arkën e shtetit të boshatisur prej sjelljes shkapërdare të qeverisë?

E përmenda këtë dukuri gjobëvëniesh në stil të gjerë, ngaqë duket se gjobëvënia është e vetmja gjë që policët dinë ta bëjnë në mënyrë të përkryer në këtë vend. Sa për të tjerat, nuk duket se ia thonë. Pse vallë? Nuk janë profesionistë? Nuk është domosdoshmërisht kështu. Ja, Adem Tahiraj që nuk është më, kish një jetë të tërë që punonte polic. Si Tahiraj, duhet të ketë dhe të tjerë.

Atëherë? Kjo është një polici e tredhur nga politika. Është një polici dhjakse. Është një polici që nuk di të ngrejë zërin për të drejtat e veta. Është një polici e nakatosur me krimin, e prandaj një polici që e ka frikë krimin, që nga ana e vet është i përzier me politikën, me pushtetin, me ministra, me krerë institucionesh. Do duhej një rebelim nga ana e policëve pas vrasjes së Adem Tahiraj, dhe jo thjesht për faktin që Tahiraj ish njëri prej tyre, e ndoshta njëri nga më të mirët, por për këtë joint venture politikë-krim, që në rastin konkret është më i qartë se kurrë. Por askush nuk flet lidhur me këtë fakt. Askush nuk ka ecur kësaj ane këto ditë pas vrasjes së Adem Tahirajt. Policët kanë derdhur edhe lot për kolegun e tyre, por bëjnë sikur nuk e dinë se si qëndrojnë gjërat në këtë vend. Burgaj, e të tjerë si ai, kanë bërë më të kollajtën, d.m.th. kanë sulmuar sistemin e drejtësisë, por nuk kanë pasur trimërinë të flasin për sponsorizime politike të krimit. Dhe nuk janë gjëra që s’i dinë. Madje, në ka gjëra që i dinë mirë janë pikërisht këto lidhje politikë-krim. Por nuk e hapin gojën. Nuk guxojnë ta hapin gojën. Ndryshe, u ikën vendi i punës. Dhe kjo është më e pakta që mund t’u ikë.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel