PANDELI MAJKO – Në shtyp ka dy ditë që po lexoj historinë time si
“zogist”…Kush më njeh përfshi dhe zogistët e dinë që nuk jam i tillë!
Ajo që më vjen keq, është se ky debat po vjen brenda logjikës së lojës
së Kryeministrit aktual me historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ky debat filloi me deklarimin tim se largimi i Mbretit Zog nga Shqipëria ishte akt juridik që zyrtarizoi pushtimin e Shqipërisë…Ironikja, është që kjo ishte thjesht një përsëritje e asaj që kam thënë edhe më parë! Duket se jemi në një situatë të “re”…! Pas kësaj pashë, që sipas disave, i kisha dalë në mbrojtje me këtë deklaratë një tradhtari, hajduti, vrasësi dhe ku dihet çfarë tjetër…

Si të mos mjaftonte kjo, Kryeministri Berisha deklaroi se “i paska ardhur keq” që unë mund të bëhem “kurban” i mbretërisë”!?

Në vendin tonë gabimet përsëriten, pasi nuk ka kujtesë historike të ndërtuar në principe të qarta. Ajo që ka ndodhur është “kokëngrënia” dhe ndërtimi i të vërtetave të njëanshme të cilat prodhojnë keqpërdorimin e politikës mbi faktet dhe historinë.

Unë nuk jam historian! Por, di që Partia Demokratike e nisi rrugëtimin e saj si “Noliste”…U vendos edhe një bust i peshkopit patriot Fan Noli, për këtë arsye, midis godinës së Akademisë së Shkencave. Sot ai bust është lëvizur!…

Shpresoj që media ta ketë ende në arkiv mospranimin e familjes mbretërore dhe Leka Zogut në Aeroportin e Tiranës kur ai u kthye në vendlindje pas vitit 1992! Sigurisht urdhrin për këtë e dha dikush që ka kthyer mendjen sot!…

Në 1997, të gjitha partitë politike, përfshirë edhe republikanin Godo, ishin të pranishme për t’ia uruar mirëseardhjen Leka Zogut në Shqipëri në një nga sallat e hotel “Rognerit”. Unë isha aty me vendimin e Kryesisë së PSSH për të përfaqësuar qëndrimin miratues të saj. Në atë takim mungonte vetëm një parti. Kjo ishte Partia Demokratike.

Kush e propozoi referendumin për monarkinë si një çështje ende e hapur në tavolinën e partive në 1997? Një gjë është e sigurt që PD dhe Presidenti i kohës ishin në pozitat e atij që “e pranoi” atë…

Mendoj se pavarësisht se çfarë ndodhi pas zgjedhjeve të 1997-s me përplasjet përpara zyrave të KQZ-së mes policisë dhe turmës ku ishte edhe Leka Zogu i veshur ushtarak, çdokush që kuptonte “lojën” politike të atëhershme e dinte se kush ishte “mjeshtri” i këtij kurthi….

Në 2002 dhe më pas ishte qeverisja socialiste ajo që hapi dyert për familjen mbretërore dhe dhënien e një statusi ligjor për të…Nuk kam dëgjuar “psherëtima” nga askush në atë kohë se po “rehabilitojmë vrasësit apo kolaboracionistët”…

Dikush nga LSI paska deklaruar se është me Luigj Gurakuqin dhe jo me Zogun! Me sa di, anëtarë të kësaj partie mbanin nga krahu në zbritjen nga avioni nënën Mbretëreshë në 2002…Për të mos diskutuar pastaj faktin që po bashkëqeverisin…me legalistët!

Në këtë histori tragjikomike ka një lojtar të vjetër që bën herë “mbrojtësin” e herë “sulmuesin”. Ky është Sali Berisha! Ai e ka ditur se duke ngritur “lart” figurën e Zogut në të vërtetë absolute të historisë shqiptare do të zgjojë nervozizmin e shqiptarëve, të cilët mendojnë se 100 vjet shtet nuk është vetëm kaq! Ai e di këtë! Doktori dinak e di se kjo lojë për “pronësinë” e historisë nxjerr të fituar sidomos atë. E lodhur nga qeverisja, pas 22 vjetësh histori politike me ulje dhe ngritje, pyetja therëse për PD-në është se çfarë profili partie është ky grupim njerëzish që qeverisin Shqipërinë aktualisht?

Ambienti social i qeverisjes aktuale shqiptare është produkt i postkomunizmit dhe dyzimit të tij. Ajo me sjelljet e fundit ndaj të vërtetave të historisë shtetformuese të Shqipërisë na fton të vazhdojmë jetën e dyfishtë, që mendon ndryshe dhe flet ndryshe. Ky proces vjen e ngjizur nga një kulturë “konvertimi” e cila është bërë virusi më domethënës i krizës së tranzicionit të shoqërisë shqiptare. Kjo kulturë është baza e një imoraliteti politik që të bënte dje nga komunist në demokrat dhe nga opozitar në pushtetar sot, pa respektuar asnjë kod etike apo vullnet politik të votuesve. Kulti i maskarait politik po kthehet aktualisht në moral!

Unë ia vlerësoj “teknikën” politike Sali Berishës ndaj nuk dua të replikoj me askënd te zërat e shqetësuar për “zogizmin” tim… Qetësisht ftoj të ngrihet cilindo në nivelin e pjesëmarrësve të Konferencës së Pezës dhe fondamenteve të nisjes së LANÇ-it ku legalistët ishin pjesë integrale deri në Shtabin e Përgjithshëm të saj. Komunistët i pranuan legalistët si partnerë ndryshe nga Balli Kombëtar derisa ndodhi divorci i njohur. Partinë Komuniste mund ta akuzosh për shumë gjëra, por në bashkëpunimin me kolaboracionistët ajo ka pasur më shumë se “vijë të kuqe”…

Ky debat i nisur ka kuptim! Ai padyshim do të ndjellë “korbat” e çdo ane, por padyshim ata nuk janë problemi, por rezultat i tij. Problemi që ngacmon aktualisht ndërgjegjen e çdo shqiptari është raporti me të vërtetën në historinë tonë kombëtare.

Unë hyj te njerëzit që refuzoj të pranoj që në 100 vjet shtet jemi drejtuar nga një hajdut dhe kolaboracionist (!) dhe nga një diktator i dyshuar për homoseksual(!)…Unë besoj te gjakftohtësia që koha na këshillon të vlerësojmë me qetësi. Ahmet Zogut t’i jepet ajo që i takon duke ia vlerësuar aktet dhe analizuar gabimet. Enver Hoxhës po ashtu. Dhe pa dyshim edhe për cilindo tjetër nesër, duke krijuar kështu “simfoninë” e munguar të historisë sonë kombëtare dhe paqen me të kaluarën tonë të përbashkët…

Unë nuk jam historian. Jam vetëm një njeri që kujtoj se para zgjedhjeve të 2009 në një sallë të mbushur plot me të rinj e të reja të FRESSH-it, në Pallatin e Kongreseve, midis duartrokitjeve u deklarua se pjesëmarrës si i ftuar ishte edhe princi…nipi i Ahmet Zogut! Mua, nuk e fsheh më janë mbushur sytë. Nipi i armikut tonë zyrtar të historisë politike të vjetër dhe të re ishte aty.

Një histori që miqtë e mi të Legalitetit ma kanë treguar vetë thotë se në vitet ‘60 kur Enver Hoxha prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, legalistët në emigracion u organizuan e dolën edhe me deklarime se nëse Shqipëria sulmohej ata do të vinin dhe të bëheshin “ushtarë të Enver Hoxhës”…Kjo është padyshim veç gjuhë shqiptarësh.

Gabimet shqiptare të historisë janë të lidhura me luftën për pushtet. Aty shfaqen defekte dhe probleme të cilat nxisin qeveritarët të bashkëpunojnë edhe me kundërshtarët historikë të shqiptarëve. Kjo ka ndodhur dhe ndodh!

Përvjetori i 100-të i shtetformimit ka një vlerë të madhe për të kuptuar nga vijmë dhe ku jemi duke shkuar.

Është e provuar jo vetëm në politikë, por edhe më gjerë se urrejtja krijon një identitet më të qartë sesa universalizmi i dashurisë. Unë shpresoj te dyta dhe historia e shkruar jo nga politikanët.

Shpresoj që teksti i saj të hedhë rrënjë ngadalë për të shpëtuar brezat që vinë nga modeli i kokëngrënies dhe papërgjegjshmërisë kombëtare, të cilat nuk janë cilësi të shqiptarëve, por padyshim të qeverisjeve të tyre.

Duke mirëkuptuar cilindo që ka mendim të ndryshëm shpresoj se kur shikoni fotografinë e dorëzimit të kurorës mbretërore të Shqipërisë në Romë për mbretin italian ju vjen padashur pyetja edhe inatçore – “Po pse ai mbreti “hajdut” iku dhe nuk është këtu?!”…. A duhej të rezistonte më shumë? A duhej të vritej? A duhej…. Pyetjet janë shumë! Përgjigjja ime është e thjeshtë. Megjithatë, ai nuk qëndroi si kolaboracionist zyrtar për të na turpëruar historikisht! Ahmet Zogu pavarësisht gjithë rezervave të mia ndaj veprimtarisë së tij, në atë moment kuptoi kohën dhe vendosi! Kjo nuk e bën hero, por padyshim nuk e bën atë as tradhtar.

Gazeta “Shqip”

Top Channel